Zëvendësministri Mjeku mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të studentëve të trajnuar fushën e TIK-ut

Prishtinë, 23.02.2023 – Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të studentëve të trajnuar për shkathtësi në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit përmes projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “ICT for Kosovo’s Growth”.

Zëvendësministri uroi mbi 250 studentët e certifikuar për shkathtësi si gjuhë dhe specialitete si Java, Python, Big Data dhe Machine Learning.

Në fjalimin e tij, Mjeku falënderoi Bashkimin Evropian për ndihmën e vazhdueshme që i ofron Kosovës në sektorë të ndryshëm, e sidomos në sektorin e TIK-ut dhe digjitalizimit. Ai tha se “kur ne po flasim për transformimin digjital, projektet si ‘ICT for Kosova Growth’ janë pjesë integrale e zhvillimit tonë ekonomik. Të rinjtë dhe të rejat të trajnuar, do të ndihmojnë përpjekjet tona në digjitalizimin e Kosovës.”

Para të pranishmëve, zëvendësministri Mjeku prezantoi projektet në fushën e TIK-ut dhe të digjitalizimit, si rrjeti 5G në ITP Prizren, që është investim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe ndërtimi i sistemit të identifikimit dhe nënshkrimit elektronik, i financuar nga BE.

Alessandro Bianciardi, zëvendësshefi i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, shtoi se BE do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në fushën e TIK-ut e gjithashtu në transformim digjital.