Ministrja e Ekonomisë priti në takim Ambasadorin e Austrisë Georg Schnetzer, diskutuan thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimet në energji
Prishtinë, 24 nëntor 2026 – Ministrja e Ekonomisë priti në takim kortezie Ambasadorin e Austrisë, Georg Schnetzer si dhe udhëheqësen e zyrës së Odës Ekonomike Austriake në Prishtinë, Vjosa Huruglica Vranoci, me të cilët diskutoi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, me fokus të veçantë në sektorin e energjisë.
Gjatë takimit u bisedua për ankandin e ardhshëm për energjinë nga era, i cili parashihet të sjellë deri në 200 MW kapacitete të reja të energjisë së ripërtëritshme. Ministrja ftoi kompanitë austriake të marrin pjesë në proces dhe të dorëzojnë ofertat e tyre, duke theksuar potencialin e Kosovës për investime të reja në energji të pastër.
Palët diskutuan gjithashtu ecurinë e projekteve për ruajtjen e energjisë përmes sistemeve të baterive, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e fleksibilitetit dhe sigurisë së sistemit energjetik.
Në kuadër të bashkëpunimit të mëtejmë, u propozua organizimi i një webinari informues për ankandin e energjisë së erës, me qëllim që kompanitë austriake të njihen më nga afër me mundësitë dhe kushtet e pjesëmarrjes në këtë proces.


