Zëvendësministri Mjeku merr pjesë në takimin ministror të P-TEC në Varshavë, kërkon zgjidhje për bllokimin e linjave ndërkufitare të energjisë nga Serbia
Varshavë, 20 nëntor 2026 – Zëvendësministri i Ekonomisë i Republikës së Kosovës, Getoar Mjeku, po merr pjesë në takimin ministror të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji (P-TEC) në Varshavë të Polonisë, i organizuar nga Departamenti i Energjisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministria e Energjisë e Polonisë dhe Këshilli Atlantik.
Gjatë këtij takimi, në praninë e sekretarit amerikan të Energjisë, Chris Wright dhe ministrave evropianë, zëvendësministri Mjeku ngriti çështjen e bllokimit nga Serbia të linjave ndërkufitare të energjisë me Kosovën, të cilat kanë kapacitet për bartjen e deri në 600 megavatëve energji elektrike. Ai theksoi se ky bllokim i shkakton kosto Kosovës dhe rajonit, duke penguar zhvillimin e bashkëpunimit dhe integrimin e mëtejshëm të tregjeve të energjisë.
Zëvendësministri Mjeku rikujtoi se Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë tashmë ka konstatuar shkeljen e detyrimeve të Serbisë që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet me urgjencë dhe të gjendet një zgjidhje e menjëhershme.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për avancimin e integrimit në tregun rajonal dhe evropian të energjisë, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e saj transatlantikë”, pohoi ai.
Me këtë rast, zëvendësministri Mjeku falënderoi ministrin e Energjisë së Polonisë, Miłosz Motyka, për mikpritjen, si dhe ambasadorin e Republikës së Kosovës, Drilon S. Gashi dhe konsullin Bardh Hoxha, për shoqërimin dhe mbështetjen gjatë kësaj ngjarjeje
.


