Kosova pjesë e takimit të ministrave të Evropës Qendrore dhe Juglindore

Zagreb, 16 nëntor 2026 –  Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka marrë pjesë në takimin e ministrave të Evropës Qendrore dhe Juglindore, ku temë diskutimi ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi në tregun evropian të energjisë mbeten ndër prioritetet e Kosovës në sektorin e energjisë.

Në këtë drejtim, në takimin ministror të CESEC-ut, të mbajtur në Zagreb, Kosova kontribuoi në diskutimet për zhvillimin e infrastrukturës energjetike, ndërlidhjen ndërkufitare dhe integrimin e tregjeve të energjisë në Evropën Qendrore dhe Juglindore.

Një zhvillim i rëndësishëm i takimit ishte zgjerimi i CESEC-ut me Çekinë dhe Poloninë, përmes memorandumit të nënshkruar në emër të Kosovës nga Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.

Në diskutimet me Komisionerin Evropian për Energji dhe Strehim, Dan Jørgensen, dhe ministrat pjesëmarrës, u prezantuan reformat që po zbatohen në Kosovë, si dhe projektet për ndërlidhjen e sistemit elektroenergjetik me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë rëndësi për sigurinë energjetike dhe zhvillimin e tregut rajonal.

Një ndër çështjet e ngritura ishte edhe pengesa që Serbia vazhdon t’i shkaktojë tregtisë ndërkufitare të energjisë me Kosovën, përmes mosvënies në dispozicion të kapaciteteve ndërkufitare. U kërkua adresimi i menjëhershëm i kësaj çështjeje dhe respektimi i detyrimeve që burojnë nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Kosova vazhdon të avancojë agjendën e saj energjetike përmes reformave, investimeve në infrastrukturë dhe bashkëpunimit me partnerët evropianë, me synim një treg energjetik më të hapur, më konkurrues dhe të integruar në nivel rajonal e evropian.