Ministrja Artane Rizvanolli takoi ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux
Prishtinë, 26 nëntor 2026 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, priti në një takim kortezie ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux, i shoqëruar nga sekretari i parë i Ambasadës, Áron Kerékgyártó.
Gjatë takimit, palët diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, me theks të veçantë në sektorin e energjisë. Në fokus të bisedës ishin investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, veçanërisht në projektet e energjisë diellore dhe të erës, si dhe zhvillimet dhe sfidat energjetike me të cilat po përballet rajoni.
Ministrja prezantoi prioritetet dhe reformat e Ministrisë së Ekonomisë për transformimin e sektorit energjetik, rritjen e kapaciteteve vendore të prodhimit dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime. Ajo vlerësoi mbështetjen e Hungarisë dhe shprehu gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Nga ana e tij, ambasadori Dux rikonfirmoi interesimin e Hungarisë për zgjerimin e bashkëpunimit me Kosovën, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe arsimit. Ai shprehu interesim për zhvillimin e bashkëpunimit me Universitetin e Mitrovicës dhe për mundësitë e ofrimit të bursave për studentët në fushat e minierave dhe energjisë, me qëllim të shkëmbimit të njohurive dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale.



