Reagim ndaj dezinformatave të publikuara dhe ndërhyrjeve të kundërligjshme e të paautorizuara në objektin e Ministrisë së Ekonomisë
- Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse.
- Ndërhyrjet e datës 20 nëntor janë kryer kundërligjshëm, arbitrarisht. Po ashtu, pa masa mbrojtëse, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe duke shkaktuar dëme materiale.
- Prokuroria ka pezulluar punimet, përkundër kësaj Komuna ka tentuar të vazhdojë punimet sot, në orën 06:00 të mëngjesit, të cilat janë ndaluar nga Policia e Kosovës.
- Ministria kërkon respektimin e ligjshmërisë dhe të vendimit të Prokurorisë, jo ndalimin e realizimit të veprës artistike.
- Ministria e Ekonomisë nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kundërshtim ndaj realizimit të veprës artistike kushtuar Nënë Terezës.
Reagimi i plotë:
Ministria e Ekonomisë reagon ndaj informatave të pasakta të publikuara në disa media lidhur me ndërhyrjet e paautorizuara në murin e jashtëm të objektit të Ministrisë së Ekonomisë. Andaj, konsideron të nevojshme të sqarojë opinionin publik lidhur me rrethanat dhe kronologjinë e ngjarjeve.
Komuna e Prishtinës ka subvencionuar një projekt dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës më datë 28.09.2026 ka lëshuar pëlqim për realizimin e këtij projekti në objektin, i cili nuk është në pronësi dhe nuk menaxhohet nga Komuna. Pëlqimi është i kundërligjshëm dhe i pa nënshkruar nga drejtori i kësaj drejtorie.
Këto veprime Komuna e Prishtinës i ka bërë pa konsultuar dhe pa njoftuar paraprakisht Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë për Dixhitalizim dhe Administratë Publike, ndonëse Komuna e Prishtinës as nuk është pronare e as nuk ka të drejtën e menaxhimit me objektin e Ministrisë se Ekonomisë.
Më datë 20.11.2026, në orën 09:17, përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës, kanë ndërmarrë veprime përmes kontraktorit privat, pa vendosur masa mbrojtëse dhe duke cenuar seriozisht shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Në këtë mënyrë ka larguar kundërligjshëm banerin informues të Ministrisë, me ç ‘rast ka bërë ndërhyrje të kundërligjshme në pronë të huaj, ka shkaktuar dëme materiale dhe mbi të gjitha kanë cenuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Pavarësisht vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve, sot më 27.11.2026, në orën 06:00 të mëngjesit, përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës kanë ardhur sërish me makineri ngritëse (vinç) pranë objektit të Ministrisë së Ekonomisë, me qëllim të vazhdimit të punimeve.
Si rrjedhojë, Ministria e Ekonomisë ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila, pas ndërhyrjes në vendin e ngjarjes, ka ndaluar punimet.
Ministria e Ekonomisë konsideron të papranueshme ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme dhe të kundërligjshme nga Komuna e Prishtinës, veçanërisht përkundër vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve.
Për të shmangur çdo keqinterpretim, Ministria e Ekonomisë sqaron se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kundërshtim ndaj realizimit të veprës artistike kushtuar Nënë Terezës. Përkundrazi, Ministria vlerëson dhe respekton çdo iniciativë që kontribuon në promovimin e vlerave të përbashkëta.
Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, dëmin e shkaktuar ndaj institucioneve shtetërore, si dhe respektimin e vendimeve të organeve kompetente.
Ministria e Ekonomisë kërkon nga Komuna e Prishtinës respektimin e vendimit të Prokurorisë deri në përmbylljen e hetimeve dhe vendimit përfundimtar gjyqësor.
Njëkohësisht, Ministria e Ekonomisë u bën thirrje mediave që gjatë raportimit për këtë çështje të mbështeten në fakte dhe informacione të verifikuara, duke shmangur keqinterpretimet dhe dezinformimin e opinionit publik.
Ministria e Ekonomisë mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të ligjshmërisë, mbrojtjes së interesit publik dhe bashkëpunimit korrekt ndërinstitucional.

