Ministria e Ekonomisë dhe institucionet franceze diskutojnë për projektin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Prishtinë

Prishtinë, 16 nëntor 2026 – Në kuadër të misionit të përbashkët, një delegacion francez i përbërë nga përfaqësues të tri institucioneve publike franceze, Thesarit Francez (DG Trésor), Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) dhe BPI të shoqëruar nga Shkëlqesia e Tij Jean-François Huchet, Ambasador i Francës në Kosovë, u prit nga Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.

Takimi kishte për qëllim prezantimin e ekspertizës franceze në financimin e projekteve infrastrukturore dhe shqyrtimin e mundësive për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në zbatimin e një projekti të madh për trajtimin e ujërave të zeza në zonën e Prishtinës.

Gjatë takimit, Zëvendësministri Mjeku, i shoqëruar nga këshilltari francez në Ministrinë e Ekonomisë, Dr. Louis Boisgibault, shprehu interesim për mbështetjen e ofruar nga partnerët francezë dhe për mundësitë e bashkëpunimit në realizimin e këtij projekti, i cili është me rëndësi të veçantë për infrastrukturën mjedisore dhe shërbimet publike në vend.

Projekti parasheh ndërtimin e impiantit të parë për trajtimin e ujërave të zeza që do t’i shërbejë zonës së Prishtinës, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës së ujërave të zeza dhe mbrojtjen e mjedisit.

Objektivat kryesore të projektit përfshijnë:

  • Rritjen e shkallës së trajtimit të ujërave të zeza në zonën e Prishtinës në 90% deri në vitin 2040;
  • Përmirësimin e shërbimeve të kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të zeza për rreth 400,000 banorë;
  • Përmirësimin e gjendjes ekologjike të lumit Sitnica dhe reduktimin e ndotjes;
  • Mbështetjen e përafrimit të Kosovës me standardet evropiane mjedisore, në kuadër të Kapitullit 27 – Mjedisi dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Vlera totale e vlerësuar e projektit është 269 milionë euro. Paketa e propozuar e financimit do të përfshijë një kredi prej 66 milionë eurosh nga Thesari Francez, kredi nga AFD-ja dhe KfW-ja, si dhe një grant prej 90 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian (nëpërmjet Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor).

Takimi shënon një hap të rëndësishëm drejt avancimit të diskutimeve dhe bashkëpunimit midis institucioneve të Kosovës dhe partnerëve francezë e evropianë lidhur me këtë projekt. Partnerët francezë dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur gatishmërinë e tyre për ta mbështetur Kosovën në zhvillimin e mëtejshëm dhe zbatimin e projektit.

Zbatimi i këtij projekti pritet të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike, mbrojtjen e burimeve ujore dhe avancimin e standardeve mjedisore në Kosovë.