U mbajt sesioni informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër – Faza II
Prishtinë, 24 korrik 2026 – Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor (LuxDev), mbajti sot sesionin informues për bizneset lidhur me Skemën e Granteve për Energji të Pastër – Faza II.
Gjatë sesionit, përfaqësuesit e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme u informuan mbi kriteret e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm dhe procedurat për përfitimin e mbështetjes financiare në kuadër të skemës, e cila ka në dispozicion 880 mijë euro për investime në energji të pastër dhe efiçiencë të energjisë.
Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit patën mundësi të marrin përgjigje për pyetjet e tyre dhe sqarime shtesë lidhur me procesin e aplikimit.
Të drejtë aplikimi kanë Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme me aktivitete parësore ose dytësore në prodhim dhe përpunim, si dhe kompanitë që operojnë në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike dhe zhvillojnë aktivitete në këta sektorë.
Skema e granteve zbatohet përmes tri thirrjeve të veçanta, të cilat përfshijnë masat:
- Masa 1: Mbështetje për sistemet e energjisë solare dhe sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike;
- Masa 2: Mbështetje për masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve;
- Masa 3: Mbështetje për pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.
Bizneset mund të aplikojnë për secilën nga tri masat (Masa 1, 2 ose 3) individualisht, me një mbështetje maksimale deri në 20,000 € për secilën masë të vetme. Masa 1 dhe 2 mund të kombinohen secila me Masën 3, por në këtë rast mbështetja totale nuk mund të kalojë vlerën prej 25,000 €.
Thirrja për aplikim është e hapur deri më 27 korrik 2026. Aplikimi realizohet përmes platformës eKosova, në linkun: https://ekosova.rks-gov.net/Service/32 .
Udhëzuesit për aplikim, dokumentacioni i nevojshëm dhe informacionet e detajuara, i gjeni në linkun në vijim: https://me.rks-gov.net/shpallje-2/#89c3a5426a290a0a2





