Telekomi i Kosovës me trend pozitiv të rritjes

Prishtinë, 29.11.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka vizituar Telekomin e Kosovës, ku është pritur nga kryesuesi i bordit, Shpetim Dobra, ushtruesja e detyrës së Kryeshefes Ekzekutive, Burbuqe Hana dhe stafi menaxherial.

Vizita u zhvillua në vazhdën e takimeve vjetore për t’u informuar më afër me zhvillimet dhe punën e menaxhmentit për rimëkëmbjen e ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës.

Ministrja Rizvanolli u informua nga afër për të arriturat dhe punën e vazhdueshme të menaxhmentit të Telekomit për rikthimin e trendit pozitiv të rritjes nga një seri negative e rezultateve financiare në vitet e fundit.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Ministrja Rizvanolli tha se jemi duke shikuar mundësitë që ta ndihmojmë Telekomin për t’i përballuar investimet në shtrirjen e rrjetit në komunat veriore të Kosovës dhe këtë do të tentojnë ta bëjnë gjatë javëve në vijim.

Telekomi i Kosovës është duke u këndellur gjatë këtij viti, të hyrat janë ngritur për 8%, ndërsa shpenzimet janë ulur për rreth 9%. Tani pas 7 viteve pa investime në teknologji, plani për investime në teknologji të re do të implementohet gjatë vitit të ardhshëm dhe të fillojë migrimi i plotë në kodin telefonik të Kosovës +383/221-01. Rezultatet e këtyre investimeve do të vërehen nga konsumatorët që në muajin mars dhe prill të vitit të ardhshëm.

Ministrja Rizvanolli tha se Telekomi po këndellet si kompani, si kolektiv i punëtorëve edhe si shërbim ndaj klientit. “Menaxhimi me nikoqirllëk dhe angazhimi i secilës dhe secilit, në krye me një menaxhment, i cili ka dalur nga vet radhët e Telekomit. Me këtë trend, Telekomi ka perspektivë të mirë si ndërmarrje me rëndësi strategjike për vendin tonë dhe me rol të rëndësishëm edhe në sigurinë e vendit.”

Ministrja Rizvanolli po ashtu shtoi se në Telekom nuk ishte bërë asnjë investim në teknologji që nga 2015 dhe sot jemi para një momenti shumë me rëndësi, pasi Telekomi është në fund të procesit të zëvendësimit rrënjësor të teknologjisë për telefoninë mobile, apo Vala siç e njohim, pasi jemi në një pikë të rëndësishme, ku një obligim i përbashkët për ta përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe për të shtrirë shërbimet e Telekomit në të gjithë vendin është duke u realizuar.