Shefja e Kabinetit, Anyla Beqa vazhdon fushatën “Kurse Energjinë” në shkolla të vendit

Prishtinë, 09.02.2023 – Shefja e Kabinetit të Ministres së Ekonomisë, Anyla Beqa së bashku me përfaqësuesit e UNDP Kosovo, sot ka vazhduar fushatën “Kurse Energjinë”, e cila është duke u mbajtur në shkolla fillore në të gjithë vendin për të vetëdijesuar nxënësit rreth rëndësisë së kursimit dhe efiçiencës së energjisë.
Beqa sot ka vizituar Shkollën “Shfmu “Eqrem Cabej” Mitrovice” në Mitrovicë si dhe Kolegjin “ Mehmet Akif College” në Lipjan, ku ka biseduar me nxënësit mbi mënyrat e përdorimit dhe prodhimit të energjisë elektrike, rëndësinë e saj, si dhe mënyrat se si mund ta kursejmë.
Tutje, së bashku me përfaqësues të UNDP-së, përfshirë maskotën e Dinozaurit, nxënësit kanë luajtur lojën “Bingo” të efiçiencës së energjisë, për të kuptuar se cilat janë mënyrat më të mira për të realizuar aktivitetet tona të përditshme duke përdorur më pak energji.
Qëllimi i kësaj fushate është rritja e vetëdijes së nxënësve dhe të rinjve për të kursyer, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe për mbrojtje të mjedisit.