Rizvanolli: Kosova po krijon mundësi të reja për investime në energjinë e ripërtëritshme

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në Tryezën e Diskutimit “Si mund të tërheqë Kosova investitorë gjermanë në ankandet e ardhshme të energjisë së ripërtëritshme?”, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, në kuadër të projektit “Mbështetja e partneritetit per tranzicion klimatik dhe energjetik” të financuar nga GIZ.
Në fjalën e saj hyrëse, Ministrja Rizvanolli prezantoi zhvillimet e deritanishme në procesin e ankandeve të energjisë së ripërtëritshme, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një tregu konkurrues, transparent dhe të parashikueshëm për investitorët.
Gjatë diskutimit, Ministrja Rizvanolli foli për ecurinë e ankandeve të para për energjinë diellore dhe të erës, përvojat gjatë këtyre proceseve, planet për ankandet e ardhshme, si dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e interesit të investitorëve gjermanë në sektorin e energjisë në Kosovë.
Në këtë drejtim, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Gjermaninë dhe të investimeve private për përshpejtimin e zhvillimit të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme dhe avancimin e objektivave energjetike të vendit.
Tryeza mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, sektorit privat, komunitetit ndërkombëtar, shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës, ndërsa diskutimi shërbeu edhe si përgatitje për Forumin Ekonomik Gjermano-Kosovar.