Posta dhe Telekomi kanë filluar ringjalljen

Prishtinë, 21.10.2022 –  Zëvendësministri Getoar Mjeku dhe zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë kanë vazhduar pjesëmarrjen në mbledhjet e aksionarit në ndërmarrjet publike qendrore te Posta e Kosovës dhe Telekomi i Kosovës “Vala”.

Dy shoqëritë aksionare në pronësi të Republikës po rimarrin veten pas vitesh keqadministrimi e keqpërdorimesh. Bordet dhe menaxhmentet e reja kanë kthyer mbarë treguesit kyçë financiarë dhe operativë, përkundër sfidave të shumëllojshme.

Posta ka rritur produktivitetin dhe të hyrat, ka tkurrur humbjet, si dhe ka ulur dukshëm shpenzimet jothelbësore për t’u dhënë përparësi investimeve në teknologji informative dhe ofrimit të shërbimeve cilësore e të sigurta.

Telekomi ka freskuar portofolin e produkteve, duke përfshirë sidomos IPTV-në dhe telefoninë mobile, çka ka rritur të hyrat. Gjithashtu ka vazhduar ristrukturimi, si reformë e thellë që do të mundësojë këndelljen dhe mbarëvajtjen e ndërmarrjes.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka përkrahur Telekomin me mjete financiare të domosdoshme për të tejkaluar krizën e shkaktuar nga administratat e kaluara dhe për të siguruar rimëkëmbjen gjatë viteve në vijim.

Ministria e Ekonomisë mbetet e përkushtuar ndaj detyrës kushtetuese për të rritur vlerën e ndërmarrjes publike dhe për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët.