Pakoja e Mbështetjes për Energjinë prej 75 milionë eurosh, e financuar nga BE-ja, sjell përfitime konkrete për familjet dhe bizneset në mbarë Kosovën
Prishtinë, 16 tetor 2026 – Bashkimi Evropian në Kosovë, së bashku me institucionet e Kosovës dhe partnerët zbatues, shënoi sot përfundimin e suksesshëm të zbatimit të Pakos së Mbështetjes për Energjinë prej 75 milionë eurosh, të financuar nga BE-ja, nga e cila kanë përfituar më shumë se 200,000 familje dhe 154 biznese në mbarë Kosovën, duke i ndihmuar ato të përballojnë kostot e energjisë, të përmirësojnë efiçiencën e energjisë dhe të përdorin zgjidhje të energjisë së ripërtëritshme.
Në këtë ngjarje morën pjesë Ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Drejtoresha e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha, kryetarë komunash, partnerë zbatues dhe përfitues, për të bërë një bilanc të arritjeve të pakos dhe për të diskutuar bashkëpunimin e ardhshëm në tranzicionin e Kosovës drejt energjisë së pastër.
Pakoja e Mbështetjes për Energjinë ishte një dëshmi konkrete e solidaritetit të BE-së me Kosovën dhe partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, e prezantuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2022 si përgjigje ndaj krizës globale energjetike të shkaktuar nga lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Përveç ofrimit të ndihmës së drejtpërdrejtë për familjet e prekura nga rritja e kostove të energjisë, pakoja mbështeti përmirësimin e efiçiencës së energjisë në dhjetëra mijëra shtëpi dhe 154 biznese, duke ndihmuar në uljen e konsumit dhe kostove të energjisë, si dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të punës. Ajo gjithashtu promovoi zgjidhje të energjisë së ripërtëritshme dhe mbështeti reformat që synojnë avancimin e tranzicionit të qëndrueshëm energjetik të Kosovës.
Duke folur në këtë ngjarje, Ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, i nënvizoi si përfitimet e menjëhershme, ashtu edhe rëndësinë afatgjatë të investimit të BE-së.
“Pakoja e Mbështetjes për Energjinë nuk ishte vetëm një përgjigje ndaj krizës energjetike, por edhe një investim në sigurinë afatgjatë energjetike të Kosovës dhe tranzicionin e qëndrueshëm energjetik. Në përputhje me parimin e BE-së ‘efiçienca e energjisë në radhë të parë’, ajo ka ndihmuar familjet dhe bizneset të ulin kostot e energjisë, duke mbështetur njëkohësisht tranzicionin drejt energjisë më të pastër”, tha Ambasadori Schuebel.
Ai gjithashtu nënvizoi përmasat e angazhimit afatgjatë të BE-së ndaj Kosovës.
“Pakoja prej 75 milionë eurosh përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të më shumë se 3.7 miliardë eurove që BE-ja ka investuar në Kosovë që nga viti 1999, si partnerja më e fortë dhe më e besueshme e Kosovës dhe ofruesja më e madhe e ndihmës financiare”, shtoi ai.
Duke theksuar ndikimin e Pakos së Mbështetjes për Energjinë të BE-së, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha: “Mbi 200 mijë familje të Kosovës kanë përfituar nga Pakoja e Mbështetjes për Energjinë e Bashkimit Evropian në vlerë totale prej 75 milionë eurosh. Kemi mbështetur familjet për ta përballuar dimrin dhe kemi investuar për shumë dimra të tjerë që vijnë. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen që na dha në një periudhë shumë të vështirë per ne.”
Drejtoresha e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha, prezantoi rezultatet kryesore të programit prej 20 milionë eurosh për sektorin e banimit, në kuadër të pakos së BE-së, duke theksuar mbështetjen për 3,651 familje dhe përmirësimet e efiçiencës së energjisë në 28 ndërtesa të banimit social në 13 komuna. Ajo theksoi ndikimin e programit në kursimin e energjisë, uljen e emetimeve të CO₂ dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, si dhe rëndësinë e investimeve dhe partneriteteve të vazhdueshme për zgjerimin e masave të efiçiencës së energjisë në Kosovë.
“Gjatë krizës energjetike, kjo mbështetje u shndërrua në investime konkrete për familjet, kursime të energjisë dhe një të ardhme energjetike më të qëndrueshme”, tha Hoxha.
Ngjarja ofroi gjithashtu mundësinë për të diskutuar reformat dhe investimet e nevojshme për të ndërtuar mbi rezultatet e pakos, për të përmirësuar efiçiencën e energjisë, për të zgjeruar përdorimin e energjisë së ripërtëritshme dhe për të forcuar qëndrueshmërinë afatgjatë të sektorit energjetik të Kosovës.
Duke parë drejt së ardhmes, Ambasadori Schuebel rikonfirmoi përkushtimin e BE-së për vazhdimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës.
“Bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe investimet e përbashkëta do të jenë thelbësore për avancimin e tranzicionit të Kosovës drejt energjisë së ripërtëritshme dhe forcimin e sigurisë së saj energjetike afatgjatë. Pres me kënaqësi të vazhdoj punën me institucionet e Kosovës dhe të shoh se si mbështetja e mëtejshme e BE-së do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët, familjet dhe bizneset e Kosovës në vitet në vijim. BE-ja është pranë jush!”





