OEK mban punëtori për Ligjin për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë

Prishtinë, 05.03.2024 – Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare gjatë javës së kaluar ka mbajtur punëtorinë e organizuar në kuadër të Rrjetit të Bizneseve për Energji të Pastër (N4CEB).

Temat kyçe që u diskutuan ishin: Ligji për Burimet e Ripërtëritshme dhe Problematikat e Kyçjes në Rrjet ku në panelin e parë u diskutua për Ligjin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë, i cili ka kaluar në leximin e parë të Kuvendit dhe u përfaqësua nga Ministria e Ekonomisë (ME) përmes Besiana Qorraj Berisha, Udhëheqëse e Divizionit për Mbështetje Administrative të projekteve të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE).

Gjatë diskutimeve pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë me përfaqësuesen e ME-së, si zyrtare përgjegjëse për draftimin e këtij ligji si dhe me përfaqësuesin e MMPHI dhe ekspertin e pavarur te energjisë.

Kurse në panelin e dytë për problematikat e Kyçjes në Rrjet u shpalos plani i zgjerimit nga KOSTT që lidhet direkt me Strategjinë e Energjisë, por u diskutuan edhe sfidat nëpër të cilat kaluan bizneset dhe vazhdojnë të kalojnë.

Kjo punëtori u hap nga Drejtoresha ekzekutive e OEGJK Nora Hasani dhe Zv. Ambasadori Gjerman Matthias Conrad.