Një hap i rëndësishëm në bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë për veprimin klimatik dhe tranzicionin energjetik
Prishtinë, 22 korrik 2026 – Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës, së bashku me GIZ Kosovë, kanë nënshkruar zyrtarisht Marrëveshjen e Zbatimit për projektin “Mbështetje për Partneritetin për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik”.
Marrëveshja forcon bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë në avancimin e politikave klimatike dhe agjendës së tranzicionit energjetik. Ajo bazohet në bashkëpunimin ekzistues dhe synon një koordinim më të ngushtë ndërmjet partnerëve, duke përfshirë forcimin e dialogut politik, kapaciteteve institucionale, diplomacisë klimatike dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Gjithashtu, ajo mbështet përpjekjet e përbashkëta për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe nxitjen e angazhimit më të gjerë për adresimin e ndryshimeve klimatike dhe avancimin e tranzicionit energjetik, duke ndihmuar në shndërrimin e prioriteteve të përbashkëta në veprime konkrete në nivel institucional dhe shoqëror.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani Mullarama, u shpreh se ky partneritet përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dhe në përshpejtimin e përpjekjeve për një tranzicion energjetik të qëndrueshëm.
“Bashkëpunimi me partnerët tanë ndërkombëtarë është thelbësor për avancimin e agjendës klimatike dhe energjetike. Përmes këtij projekti, ne do të vazhdojmë të forcojmë kapacitetet tona institucionale dhe të punojmë drejt zbatimit të politikave që mbështesin një të ardhme më të qëndrueshme energjetike për qytetarët,” u shpreh Sekretarja e Përgjithshme.
Ky partneritet është një tjetër dëshmi e marrëdhënieve shumëvjeçare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë dhe pasqyron përkushtimin e përbashkët për të mbështetur rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian. Duke i shndërruar prioritetet strategjike në veprime konkrete, ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Projekti mbështetet nga Ministria Federale Gjermane për Mjedisin, Veprimin Klimatik, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore (BMUKN), përmes Nismës Ndërkombëtare për Klimën (IKI), dhe zbatohet nga GIZ Kosovë.


