Nënshkruhet Marrëveshja e Implementimit për projektin “Kosovo Energy Project”

Prishtinë, 30 korrik 2026 – Ministria e Ekonomisë dhe GIZ Kosovo nënshkruan sot Marrëveshjen e Implementimit për projektin “Kosovo Energy Project”, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në partneritetin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

Ky projekt synon të mbështesë Kosovën në përmbushjen e obligimeve të saj në kuadër të Komunitetit të Energjisë përmes avancimit të masave për efiçiencë të energjisë dhe zgjerimit të përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Projekti do të kontribuojë në përmirësimin e kornizës rregullative për investimet në efiçiencë të energjisë dhe sistemet e vetë-konsumit, zhvillimin e mekanizmave të financimit, forcimin e mbështetjes për investitorët, përmirësimin e planifikimit komunal, si dhe promovimin e pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë. Projekti financohet nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë me deri në 4 milionë euro dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës me rreth 4.022 milionë euro.

Në fjalën e saj me rastin e ceremonisë së nënshkrimit, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, znj. Leonita Shabani-Mullarama, theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson shumë më tepër sesa fillimin e zbatimit të një projekti të ri.

“Kjo marrëveshje pasqyron partneritetin e ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë, vlerat e përbashkëta dhe vizionin tonë të përbashkët për një të ardhme energjetike më të qëndrueshme për Kosovën. Bashkëpunimi ynë me GIZ-in dhe me Qeveritë e Gjermanisë dhe Danimarkës ka dhënë rezultate të rëndësishme në avancimin e reformave në sektorin e energjisë dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale. Jemi të bindur se ky partneritet do të vazhdojë të sjellë rezultate konkrete edhe në vitet në vijim.”

Ministria e Ekonomisë mbetet e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në zbatimin e reformave që përshpejtojnë tranzicionin energjetik të Kosovës, rrisin sigurinë energjetike, nxisin investimet e qëndrueshme dhe kontribuojnë në përmbushjen e objektivave kombëtare dhe obligimeve ndërkombëtare në sektorin e energjisë.