Ministrja Rizvanolli vizitoi Komunën e Leposaviqit

Leposaviq, 08.02.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me zëvendësministrat Getoar Mjeku e Nenad Stanojeviç, e kanë vizituar Komunën e Leposaviqit, ku janë pritur nga kryetari, Lulzim Hetemi.

Ministrja Rizvanolli ka theksuar se qytetarët e Leposaviqit e të komunave të tjera në veri të vendit kanë nevojë për shërbime cilësore që u përmirësojnë mirëqenien.

Ministrja Rizvanolli dhe kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi kanë diskutuar mënyrat se si Ministria e Ekonomisë dhe Komuna mund të përforcojnë bashkëpunimin, veçanërisht në rritje të efiçiencës së energjisë.

Gjatë vizitës ministrja Rizvanolli është takuar dhe ka diskutuar me stafin e Komunës së Leposaviqit të cilët po punojnë me zell për t’u shërbyer qytetarëve, si dhe ka takuar përfaqësuesin e Postës së Kosovës, e cila ka hapur zyrën postare në Leposaviq dhe në komunat e tjera në veri të vendit në nëntor të vitit 2023.

Ndër të tjera, në këto zyra ofrohen shërbimet e postës për qytetarët që mund të kryejnë pagesat për regjistrimin e automjeteve, dënimet në trafik, dokumentet personale dhe licenca të ndryshme institucionale.