Ministrja Rizvanolli takoi ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı

Prishtinë,04.01.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili. Në këtë takim u diskutua lidhur me marrëdhëniet ekonomike në mes të Republikës së Kosovës dhe Turqisë, si dhe interesin dypalësh për zgjerimin e mëtejmë të tyre në të ardhmen.

Ministrja Rizvanolli vlerësoi mbështetjen e Turqisë që ka dhënë në zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe ka prezantuar para ambasadorit Angili prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë në fushën e burimeve të ripërtrishme të energjisë, pra energjisë nga era dhe asaj solare.

Në takim u theksua se Turqia ka aprovuar strategjinë e saj të energjisë, e cila është e ngjashme me atë të Kosovës në parashikimin e kapaciteteve të reja nga dielli dhe era, gjë që na jep mundësi për shkëmbim përvojash.

Nga ana e tij, ambasadori Angili e ka uruar Ministren Rizvanolli dhe popullin e Kosovës për liberalizimin e vizave, që ka hyrë në fuqi më 1 janar dhe e përgëzoi për angazhimin në sektorin e energjisë.