Ministrja Rizvanolli në takim me përfaqësuesit e bankave: Përkrahje për rritje të efiçiencës tek NMVM-të 

Prishtinë, 17.01.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka pritur në takim përfaqësuesit e bankave në Kosovë, me të cilët ka biseduar për programet e subvencionimit të masave të efiçiencës së energjisë.

Gjatë takimit, Ministrja Rizvanolli i ka njoftuar për thirrjen aktuale që është e hapur nga Ministria e Ekonomisë për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), e cila është e hapur deri më 31.01.2024, ku përfshihen pompa termike, kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë.

Ajo po ashtu ka prezantuar masat e thirrjes së re që do të hapet në fillim të muajt shkurt, për konsumatorët familjar dhe biznese, për subvencionimin e sistemeve solare fotovoltaike, ndërsa vetëm për biznese (NMVM) do të jetë thirrja për sistemet solare termale për ngrohjen e ujit sanitar.

Këto masa kanë për qellim rritjen e efiçiences dhe uljen e shpenzimeve operative të bizneseve, e të cilat ndikojnë në zhvillimin e tyre.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e bankave janë shprehur të lumtur për masat e subvencionimit dhe shprehën gatishmëri për bashkëpunim me ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për pajisje efiçiente për ngrohje, duke ofruar asistencë për një zhvillim të qëndrueshëm.

Në takim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e NLB Bank, Pro Credit Bank, Raiffeisen Bank, BPB Bank, ZIRAAT Bank, Banka Ekonomike, ISBANK, Pri Bank, Banka Kombëtare Tregtare dhe Credins Bank.