Ministrja Rizvanolli flet në Forumin Kosovë – Luksemburg për Financimin me Ndikim

Prishtinë, 30 shtator 2026 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në Forumin Kosovë – Luksemburg për Financimin me Ndikim, i cili u fokusua në mobilizimin e investimeve private në Kosovë dhe forcimin e sektorit financiar për të mbështetur financimin e tranzicionit të gjelbër.

Në forum u diskutua për mundësitë e investimeve në sektorin e energjisë, zhvillimin e financave të qëndrueshme, si dhe nevojën për mobilizimin e kapitalit dhe diversifikimin e burimeve të financimit për të mbështetur projektet në fushën e tranzicionit energjetik, dekarbonizimit dhe përballjes me ndryshimet klimatike.

Në fjalën e saj, ministrja Rizvanolli tha se gjatë pesë viteve të fundit është punuar për të hedhur themelet e transformimit të sektorit energjetik. Ajo theksoi se kjo punë udhëhiqet nga dy prioritete qendrore: zgjerimi i prodhimit vendor të energjisë së ripërtërishme dhe përdorimi më efiçientë i energjisë në të gjithë ekonominë.

Ministrja Rizvanolli theksoi progresin e arritur në zhvillimin e projekteve të energjisë diellore dhe të erës përmes ankandeve, projektin për bateritë e ruajtjes së energjisë, investimet në rinovimin e ndërtesave publike dhe shtëpive private, si dhe subvencionimin e mbi 43,000 ekonomive familjare për pajisje dhe masa të efiçiencës së energjisë.

“Kosova tashmë ofron një treg tërheqës, transparent dhe të parashikueshëm për investime në sektorin e energjisë së gjelbër”, tha ministrja Rizvanolli.

Në forum morën pjesë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, shefi i Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës, sektorit financiar, komunitetit të biznesit dhe ekspertë të fushave përkatëse.