Ministrja Rizvanolli flet në forumin Ditët e Biznesit Kroat në Kosovë
Prishtinë, 1 tetor 2026 – Në kuadër të aktivitetit “Croatian Business Day in Kosovo 2026”, i cili po mbahet në Prishtinë, u diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve dhe thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Në kuadër të këtij aktiviteti, Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, theksoi se Kroacia ka qenë një partner i qëndrueshëm i Kosovës, si në procesin e konsolidimit të shtetësisë, ashtu edhe në mbështetjen e aspiratave të saj për integrim evropian.
Duke folur për potencialin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, ministrja Rizvanolli ftoi kompanitë kroate të luajnë një rol më aktiv në investimet strategjike që po transformojnë sektorin energjetik dhe ekonominë digjitale të Kosovës. Ajo theksoi se institucionet e Kosovës po punojnë vazhdimisht për thjeshtimin e procedurave dhe eliminimin e pengesave që vonojnë realizimin e projekteve investuese.
“Ne kemi publikuar hartat e burimeve të ripërtëritshme dhe udhëzuesit për procedurat e lejeve, në mënyrë që investitorët të planifikojnë më lehtë projektet e tyre. Do të vazhdojmë të përmirësojmë klimën e investimeve, duke garantuar konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje të interesit publik”, deklaroi ministrja.
Ajo bëri të ditur se ofertat për ankandin e parë të energjisë nga era në Kosovë janë aktualisht në proces vlerësimi, ndërsa ankandi i radhës pritet të shpallet para fundit të këtij viti.
“I inkurajoj kompanitë kroate që të përgatiten për këtë mundësi dhe të eksplorojnë partneritete me kompanitë vendore. Ekzistojnë mundësi të ndryshme bashkëpunimi në zhvillimin dhe ndërtimin e projekteve, furnizimin me pajisje dhe operimin afatgjatë të tyre”, tha ministrja Rizvanolli.
“Croatian Business Day in Kosovo 2026” synon të shërbejë si një platformë e qëndrueshme për forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, rritjen e tregtisë dhe investimeve, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe njohurive ndërmjet bizneseve dhe institucioneve të të dy vendeve.
Në fokus të edicionit të sivjetshëm janë katër sektorë strategjikë: tranzicioni i gjelbër, teknologjia informative dhe digjitalizimi, industria e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe teknologjia ushqimore.
Gjatë aktivitetit po zhvillohen diskutime të veçanta mbi mundësitë e bashkëpunimit në teknologjitë e mbrojtjes dhe industritë me përdorim të dyfishtë, transformimin digjital si nxitës të rritjes ekonomike, përshpejtimin e investimeve në energji të qëndrueshme, si dhe modernizimin e sistemeve agroushqimore për rritjen e eksportit dhe qëndrueshmërisë.
Në aktivitet marrin pjesë kompani të njohura kroate dhe përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, përfshirë Podravka, Ericsson Nikola Tesla, Dalekovod, Končar Group/Končar Digital, Oda Ekonomike e Kroacisë, SCAN, ORQA dhe ALTpro.
Aktiviteti organizohet nga European Investors Council in Kosovo, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kroacisë në Kosovë, me synimin që të shndërrohet në një platformë të përvitshme për bashkëpunim ekonomik, investime dhe shkëmbim të njohurive ndërmjet dy vendeve.




