Ministrja Rizvanolli dhe Ambasadori Schuebel vizitojnë “Kosova B”: Në fokus punimet në projektin e elektrofiltrave

Obiliq, 21 tetor 2026 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, vizituan sot Termocentralin “Kosova B” të Korporatës Energjetike të Kosovës, për të ndjekur nga afër zbatimin e projektit të elektrofiltrave dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit, DeNOx.

Projekti, i kontraktuar nga BE-ja për zbatim nga një konsorcium evropian, përfshin njësitë B1 dhe B2 dhe përbën një investim madhor në infrastrukturën energjetike të Kosovës. Financimi nga BE-ja arrin vlerën prej afro 84 milionë eurosh. Punimet në B1 kanë nisur në prill 2026, me përfundim të planifikuar në nëntor të këtij viti, ndërsa ndërhyrja në B2 është planifikuar të nisë në prill 2027.

Ministria e Ekonomisë ka kërkuar nga kontraktori dhe BE-ja, në cilësinë e autoritetit kontraktues, që të bëjnë maksimumin për përfundimin e projektit brenda afatit të planifikuar. Rikthimi në kohë i njësisë B1 në operim është me rëndësi të veçantë për sigurinë e furnizimit gjatë muajve të dimrit, kur kërkesa për energji është e lartë.

Ministrja theksoi rëndësinë e ndjekjes së vazhdueshme të ecurisë së projektit dhe adresimit pa vonesë të çdo pengese që mund të ndikojë në afatet e zbatimit.

Elektrofiltrat dhe sistemi DeNOx synojnë uljen e përqendrimit të pluhurit në gazrat dalëse në 20 mg/Nm³ dhe të oksideve të azotit në 200 mg/Nm³. Sipas objektivave të projektit, kjo përfaqëson ulje deri në 18 herë (350mg/20mg) për pluhurin dhe rreth 3 herë (540mg/200mg) për oksidet e azotit, duke përmirësuar ndjeshëm performancën mjedisore të termocentralit.

Gjatë takimeve këtë javë, Ministrja dhe Ambasadori diskutuan gjithashtu reformat në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së, përfshirë Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, i cili është në konsultim publik deri më 5 nëntor, për të cilin palët e interesit ftohen që të përcjellin komentet e tyre. Miratimi i ligjit lidhet me përmbushjen e kushtit të Planit të Rritjes me vlerë rreth 6,26 milionë euro.

Ministrja dhe Ambasadori vlerësuan rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm, përfshirë Pakon e Mbështetjes për Energjinë prej 75 milionë eurosh, përfundimi i së cilës u shënua më 16 tetor. Nga kjo pako kanë përfituar mbi 200 mijë familje dhe 154 biznese në Kosovë.

Të dy ritheksuan angazhimin për bashkëpunim të ngushtë në realizimin e investimeve dhe reformave që rrisin sigurinë energjetike, përmirësojnë shërbimet për qytetarët dhe mbështesin modernizimin e sektorit.