Ministrja Rizvanolli bisedon me nxënës të shkollave në Gjakovë e Pejë në kuadër të fuashatës “Kurse Energjinë”

Gjakovë dhe Pejë, 10.02. 2023 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka vizituar shkollat “Yll Morina” në Gjakovë dhe “Dardania” në Pejë në kuadër të fushatës “Kurse Energjinë” në bashkëpunim me UNDP, e cila është duke u zhvilluar në shkolla në të gjithë vendin.

Qëllimi i fushatës në shkolla është rritja e vetëdijes, si dhe informatave konkrete, tek nxënësit mbi rëndësinë e kursimit dhe efiçiencës së energjisë, si dhe për mbrojtjen e mjedisit të vendit dhe të planetit.

Gjatë vizitës në shkollën “Yll Morina”, Ministrja Rizvanolli ka vizituar edhe panairin me punime të nxënësve të cilat i kanë realizuar gjatë vitit shkollor, shumë prej të cilave mbi format e ndryshme të prodhimit të energjisë.

Përpos bashkëbisedimeve, nxënësit kanë luajtur edhe lojën “Bingo” të efiçiencës së energjisë, përmes së cilës mësojnë mënyrat më efiçiente për të realizuar aktivitetet tona të përditshme, duke mbrojtur kështu burimet, e duke ndihmuar familjen dhe vendin.

Edukimi i nxënësve mbi rëndësinë e kursimit të energjisë ndikon në krijimin e një brezi të ardhshëm të qytetarëve aktivë e të ndërgjegjshëm për mbrojtjen e mjedisit. Kjo ka ndikim afatgjatë në reduktimin e konsumit të energjisë dhe promovimin e efiçiencës e qëndrueshmërisë në sektor.