Ministria e Ekonomisë zyrtarizon bashkëpunimin me Universitetin Columbia

Prishtinë, 13.03.2023 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot ka nënshkruar Memorandum të Bashkëpunimit me Universitetin e Columbias në New York të përfaqësuar nga Profesori Jenik Radon i cili specializon në menaxhim strategjik dhe të riskut, sovranitet dhe të drejta të njeriut, veçanërisht mjedisore si dhe transparencë.

Përmes Memorandumit të nënshkruar sot, Universiteti i Columbias do të mbështesë Ministrinë e Ekonomisë në implementimin e suksesshëm të Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031 përmes studimeve e hulumtimeve akademike, përfshirë intervista e takime në terren. Dy pika të fokusit të hulumtimit e raportit të tyre do të jenë zhvillimi i skemave konkurruese për integrim të burimeve të ripërtërishme në Kosovë si dhe skemave mbështetëse për rritje të efiçiencës së energjisë.

Gjatë nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit, Ministrja Rizvanolli është shprehur se beson në politikë-bërje të bazuar në fakte dhe se është e rëndësishme që të kemi sa më shumë hulumtime mbi çështjet që i trajtojmë. Ajo po ashtu theksoi se do ta shfrytëzojnë në maksimum hulumtimin e Universitetit Columbia.

Kurse, Profesori Radon ka shtuar që mezi presin të kenë një bashkëpunim të vazhdueshëm me Qeverinë e Kosovës, pasi siç tha puna që janë duke bërë është më e rëndësishme se kurrë, për të kontribuar së bashku në zhvillimin e shtetit të Kosovës.

Aktualisht, grupi i studentëve janë duke zhvilluar takime me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë si dhe me të gjithë akterët relevantë për t’u informuar dhe mbledhur informatat e nevojshme për të zhvilluar hulumtimin e studimin e tyre.