Ministria e Ekonomisë mban takim konsultues me OJQ-të rreth pakos emergjente 75 milionëshe nga BE

Prishtinë, 12.12.2022 – Shefja e Kabinetit të Ministres së Ekonomisë, Anyla Beqa së bashku me Drejtorin Menaxhues të Fondit Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, Ahmet Ismaili dhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë kanë pritur në takim organizata të shoqërisë civile si dhe Akademisë së Shkencave të vendit për të diskutuar rreth pakos emergjente të Bashkimit Evropian për përballje me krizën energjetike.

Gjatë takimit, përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë dhe institucioneve vendore e ndërkombëtare kanë shpalosur detajet rreth pakos 75 milionëshe dhe janë diskutuar mënyrat më të mira për alokimin e këtyre mjeteve dhe optimizimin e ndikimit pozitiv tek qytetarët dhe ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme.

Tutje është diskutuar edhe rreth dy thirrjeve të Ministrisë së Ekonomisë për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për qytetarët e vendit në mënyrë për të ulur konsumin dhe lehtësuar përballjen me krizën energjetike evropiane. Në thirrjen e dytë për subvencionim janë marrë parasysh të gjitha vështirësitë në të cilat kanë hasur qytetarët gjatë thirrjes së parë dhe janë përmirësuar këto duke u mundësuar aplikimin edhe banorëve të ri në shtëpi apo banesa, është rritur subvencionimi për nënat vetushqyese si dhe u ka mundësuar përfituesve të asistencës sociale që të përfitojnë nga subvencioni përmes profaturës.

Bashkë me pjesëmarrësit është diskutuar se si thirrjet e ngjashme mund të përmirësohen edhe më tej për vitin e ardhshëm.

Pjesëmarrës në takim nga shoqëria civile ishin ECMI Kosova, OPRE Roma Kosovo, Balkan Green Foundation, Instituti GAP, Shoqata e Grave në energji AËESK, FIM, FES si dhe Yacso.