Ministria e Ekonomisë ka subvencionuar Ngrohtoren e Qytetit të Gjakovës me 1.1 milionë euro për dy sezona

Gjakovë, 10.02.2023 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka vizituar Ngrohtoren e Qytetit të Gjakovës ku është pritur nga Kryeshefi i Ngrohtores, Arben Meka, përfaqësues të bordit e menaxhmentit të ndërmarrjes, si dhe nënkryetari i Komunës, Flamur Fetahaj, dhe përfaqësues të tjerë të Komunës.

Gjatë takimit, Ministrja ka ritheksuar gatishmërinë e Ministrisë së Ekonomisë që edhe pse nuk bie në kuadër të kompetencave apo obligimeve të Ministrisë, të mbështesë Ngrohtoren dhe të lehtësoj proceset me institucionet relevante.

Gjatë dy sezoneve të fundit, Ministria e Ekonomisë ka subvencionuar Ngrohtoren e Gjakovës me 1.1 milionë euro. Gjatë vitit 2022, ky subvencionim ka arritur trefishin e vlerës së paraparë për blerje të biomasës.

Ministrja ka kërkuar nga menaxhmenti dhe bordi i ndërmarrjes që të sigurohen që nga sezoni i ardhshëm i ngrohjes të fillojnë me prodhim të biomasës duke pasur parasysh që ngrohtorja i posedon pajisjet e nevojshme si dhe të aktivizojë komponentën e kogjenerimit.

Ministria ka cekur që Ngrohtorja do të ketë përkushtimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe gjithë Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë drejtim.