Ministria e Ekonomisë është në koordinim me institucionet relevante për t’i ndihmuar komunat e prekura nga vërshimet

Prishtinë, 20.01.2023 – Gjatë ditës së sotme, për shkak të vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e mëdha të shiut disa rajone të Kosovës si Peja, Istogu, Mitrovica, Vushtrria,  Klina, Podujeva, Gjakova, disa zona të këtyre komunave po përballen me mungesë të energjisë elektrike.

Për shkak të sigurisë së banorëve të këtyre zonave ekipet e KEDS-it janë detyruar të bëjnë shkyçjen e disa daljeve nga furnizimi, pasi që disa shtëpi janë përfshirë nga vërshimet.

Megjithatë, deri më tani në disa zona kanë rritur t’i riparojnë dëmet dhe po punojnë vazhdimisht deri në sanimin e këtyre problemeve.

Ministria e Ekonomisë është në kontakt dhe koordinim të plotë me institucionet relevante të energjisë për të bërë maksimumin në sanim të rrjetit sa më shpejtë që është e mundur.

Aktualisht, disa zona të komunave të Skenderajt, Mitrovicës dhe Pejës janë duke u përballur me vështirësi më të mëdha për furnizim të rregullt. Ministria e Ekonomisë është në kontakt të vazhdueshëm me Kompaninë e Distribuimit të Energjisë, KEDS, ekipet e të cilës janë në terren duke sanuar rrjetin.

Për çdo prishje apo informatë për rrjet, ju lutem të njofton KEDS-in në numrin zyrtar 0800 791 00 apo në rrjetet e tyre sociale.