Mbështetje për familjet e cenueshme përmes investimeve në masat për efiçiencë të energjisë

Prishtinë, 08.09.2026 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës në detyrë, Albin Kurti, vizituan sot familjet Dragidella në Prishtinë dhe Tatareviq në Mitrovicën e Jugut, të cilat kanë përfituar nga investimet në efiçiencën e energjisë.

Në vizitë morën pjesë edhe përfaqësuesit e Qeverisë së Danimarkës, z. Poulsen dhe znj. Klinken, Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros, dhe drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), Njomza Hoxha.

Investimet po realizohen në kuadër të projektit “E Ardhmja e Energjisë së Gjelbër”, të financuar nga Qeveria e Danimarkës dhe të zbatuar nga UNDP-ja, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe FKEE-në. Me një vlerë të përgjithshme investimesh që pritet të arrijë në 3 milionë euro, projekti synon të përmirësojë performancën energjetike të shtëpive të familjeve të cenueshme dhe të ulë konsumin dhe shpenzimet për energji.

Në kuadër të këtij programi, tashmë janë përfunduar investimet në 51 shtëpi të familjeve të cenueshme. Deri në fund të vitit, synohet që të përkrahen gjithsej 192 familje, ndërsa deri në vitin 2028 numri i familjeve përfituese pritet të arrijë deri në 280 në mbarë Kosovën.

Gjatë vizitës në familjen e Magbule Dragidella në Prishtinë, u panë nga afër punimet për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë dhe rezultatet e tyre në përmirësimin e kushteve të banimit dhe uljen e konsumit të energjisë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e investimeve në efiçiencën e energjisë për përmirësimin e drejtpërdrejtë të kushteve të jetesës së qytetarëve.

“Tash pesë anëtarët e familjes Dragidella do të kenë kushte më të dinjitetshme për jetë, pas investimeve që janë bërë në termoizolimin e fasadës dhe të çatisë. Kjo familje ka konsumuar mbi 85 megavat-orë në vit dhe tash do të ketë një rënie të konsumit, por edhe kushte më të mira brenda, që do të thotë më ngrohtë gjatë dimrit dhe më freskët gjatë verës, me një zbritje të shpenzimeve të energjisë prej rreth 74 për qind”, tha Kryeministri Kurti.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se këto investime janë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik dhe se efiçienca e energjisë duhet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.

Ajo shtoi se përzgjedhja e familjeve përfituese është bërë me synimin që mbështetja të shkojë te ata që kanë më së shumti nevojë.

“Këtë radhë jemi fokusuar te familjet më të cenueshme, ku të gjitha familjet përfituese janë familje që janë në skemën e asistencës sociale dhe janë përzgjedhur ato që kanë më së shumti nevojë.”

Në shtëpinë e familjes Tatareviq në Mitrovicën e Jugut janë realizuar masa të ngjashme, përfshirë termoizolimin e mureve të jashtme dhe të pllakës nën kulm, si dhe ndërrimin e dritareve, dyerve të tarracës dhe dyerve të hyrjes.

“Sot jemi këtu për të vizituar një nga shtëpitë e cila po rinovohet në kuadër të programit “E ardhmja e Energjisë së Gjelbër”. Ky është një program ku bashkohen politika energjetike me atë sociale, duke mundësuar që familjet në nevojë të përfitojnë drejtpërdrejt nga investimet në efiçiencën e energjisë. Në këtë familje që po vizitojmë sot, për shembull, konsumi i energjisë pritet të ulet rreth 55 për qind, që do të ketë ndikim të konsiderueshëm në kursimet e familjes dhe në faturat e energjisë. Ky është pikërisht qëllimi i këtij programi: të sjellim rezultate konkrete dhe kushte më të mira jetese për familjet që kanë më së shumti nevojë.”

Projekti “E Ardhmja e Energjisë së Gjelbër” është pjesë e përpjekjeve për të përshpejtuar tranzicionin energjetik dhe për të rritur efiçiencën e energjisë në sektorin rezidencial, duke sjellë përfitime konkrete për familjet dhe duke kontribuar në një sistem energjetik më të qëndrueshëm.

Përmes projekteve të tilla, Ministria e Ekonomisë po e vendos efiçiencën e energjisë në funksion të drejtpërdrejtë të qytetarëve, duke mbështetur familjet në përmirësimin e kushteve të banimit, reduktimin e konsumit të energjisë dhe uljen e shpenzimeve për energji.