Mbahet takimi i parë i Grupit punues për hartimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë 2025-2030

Prishtinë, 15.02.2023 – Në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë është mbajtur takim i  parë i Grupit Punues për hartimin e Planit kombëtar për Energji dhe Klimë 2025-2030, takim ky i kryesuar nga Adnan Preniqi – zv. Udhëheqës i Divizionit të Politikave të Energjisë.

Në këtë Grup Punues janë përfshirë përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë (ME), Zyra për Planifikim Strategjik dhe Zyra për Integrim Evropian nga Zyra e Kryeministrit,  Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë, Zhvillimit Rural (MBPZHR), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ZRRE, KOSTT, KEDS, KEK, Universiteti i Prishtinës, Oda Ekonomike e Kosovës, Shoqëria civile etj.

Gjatë këtij takimi u prezantuan përgatitjet e deritanishme, afatet e përgatitjes së dokumentit si dhe u prezantuan rezultatet analitike të modelimit të përgatitura nga konsulenca e angazhuar – German Economic Team, e financuar nga Qeveria gjermane.

Për hartimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë 2025-2030, Grupi Punues do të mbështetet nga GIZ.

Drafti i parë i këtij dokumenti parashihet të përfundoj deri më 30 maj 2023, i cili më pas do të dërgohet për komente në Komunitetin e Energjisë.