Mbahet punëtoria “Transformimi digjital në sektorin e energjisë”

Prishtinë, 22.04.2026 – Është mbajtur punëtoria dyditore, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve kryesore të sektorit të energjisë, të cilët u njohën nga afër me platformën e re digjitale të raportimit, duke forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe duke mbështetur zbatimin e Programit të Zbatimit të Strategjisë së Energjisë 2022–2025.

Punëtoria u organizua nga Ministria e Ekonomisë (ME), në bashkëpunim me ekipin e projektit të LuxDev, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të mënyrës së mbledhjes, menaxhimit dhe shkëmbimit të të dhënave mes institucioneve përgjegjëse për tranzicionin energjetik të Kosovës.

Përfaqësues të institucioneve të sektorit të energjisë u takuan për të testuar dhe vlerësuar funksionalitetet e platformës së re digjitale, e cila mundëson raportimin e aktiviteteve dhe indikatorëve të Strategjisë së Energjisë.

Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit u njohën me platformën, e krijuar për të lehtësuar procesin e mbledhjes, përpunimit dhe analizës së të dhënave që lidhen me monitorimin e Strategjisë së Energjisë 2022–2031 dhe Programit të Zbatimit 2022–2025. Platforma është konceptuar të jetë funksionale edhe për programin e ri të zbatimit 2026–2028, pas miratimit të tij.

Platforma synon të:
• Grumbullojë në një vend të gjitha të dhënat e sektorit të energjisë;
• Mundësojë ndjekjen e zbatimit të Strategjisë përmes monitorimit të indikatorëve;
• Thjeshtëzojë procesin e raportimit të aktiviteteve vjetore dhe shumëvjeçare;
• Zëvendësojë procedurat manuale dhe të shpërndara;
• Mbështesë vendimmarrjen me të dhëna të sakta dhe në kohë reale.

Pjesëmarrësit patën mundësi të përdorin platformën në mënyrë praktike, të orientohen në strukturën e raportimit dhe të testojnë futjen e të dhënave. Po ashtu, gjatë punës u identifikuan vështirësi të caktuara, për të cilat u dhanë sugjerime konkrete, të cilat tashmë janë integruar në versionin e përmirësuar të platformës.

Kjo punëtori krijoi një hapësirë bashkëpunimi ku institucionet ndanë përvojat dhe sfidat që hasin në mbledhjen e të dhënave, diskutuan përgjegjësitë e tyre brenda procesit të raportimit dhe identifikuan mënyra për të përmirësuar cilësinë dhe koherencën e të dhënave.
Kjo qasje e përbashkët ndihmoi në forcimin e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe vendosi themele më të forta për një proces raportimi më të unifikuar në nivel kombëtar. Po ashtu, përmes këtyre diskutimeve u theksua rëndësia e rrjedhës së qartë dhe të harmonizuar të informacionit, si dhe u ripotencua angazhimi për të përkrahur tranzicionin energjetik të vendit.

Punëtoria dyditore kontribuoi në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe krijoi bazën për përdorimin më efektiv të platformës digjitale. Me mjetet e reja dhe me një qartësi më të madhe në rolet dhe proceset e raportimit, institucionet janë më të përgatitura të sigurojnë të dhëna më të sakta, më transparente dhe më të koordinuara.

Kjo do t’i mundësojë Ministrisë së Ekonomisë të ndërtojë politika më të informuara, duke u mbështetur në analiza konkrete të të dhënave dhe duke e orientuar sektorin e energjisë drejt zhvillimeve të qëndrueshme.

Ndërsa Kosova vazhdon rrugën drejt një sektori energjetik modern dhe të qëndrueshëm, kjo punëtori shënon një hap të rëndësishëm në krijimin e themeleve digjitale që do të mbështesin këtë transformim.

Ky aktivitet është realizuar me mbështetjen e projektit “Tranzicioni i energjisë dhe zbutja e klimës në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga Ministria e Ekonomisë dhe LuxDev – Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.