Inaugurohet Parku Teknologjik “Tech Park Prishtina”

Prishtinë, 12.10.2023 – Është inauguruar Parku i parë Teknologjik “Tech Park Prishtina”, investim i realizuar nga Ministria e Ekonomisë (ME) në vlerë prej 1.2 milion euro në pronë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), i cili objekt i është dhënë në shfrytëzim Shoqatës për Teknologji Informative dhe Komunikim të Kosovës (STIKK).

Objektin e Parkut Teknologjik në Bërnicë të Prishtinës, e inauguruan Kryeministri, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, Zëvendësshefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova dhe Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës për Teknologji Informative dhe Komunikim të Kosovës (STIKK), Vjollca Çavolli.

Me këtë rast, Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është duke ndjekur rrugën e vendeve që shfrytëzojnë fuqinë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, për të krijuar vende pune, për të nxitur rritje ekonomike dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët.

“Ky investim ka mundësuar transformimin e kësaj ndërtese me sipërfaqe prej 4000 m2 në një hapësirë moderne e ambient mbresëlënës të dedikuar për zhvillimin e teknologjisë digjitale. Investimi në këtë park teknologjik tregon përkushtimin tonë për zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit që janë themele të ekonomisë së shekullit XXI”, tha mes tjerash Kryeministri Kurti.

Ndërsa Ministrja Artane Rizvanolli theksoi se Ministria e Ekonomisë ka pasur prioritet krijimin e funksionalizmin e Parkut të Teknologjisë Digjitale në Bërnicë, një investimin prej afro 1.2 milion eurove, që tani po i hap dyert për bizneset dhe startup-et, organizatat e individët, të cilëve do t’u shërbejë.

“Është një kërkesë e kamotshme e sektorit të TIK-ut dhe jam e lumtur që më në fund pas një angazhimi të gjatë, por edhe pas një angazhimi të madh të stafit të ME-së, të investimit, sidomos fazat e fundit të realizohen me një përpikëri të lartë, me një cilësi të lartë të investimit, sot jemi këtu për të parë një objekt modern, një hapësirë mjaftueshëm e madhe, mirëpo çfarë është edhe më e rëndësishme një ambient të ngrohët e të bukur, një ambient që është inspirues, premtues për të gjithë ata e ato që do të punojnë këtu”, tha Ministrja Rizvanolli.

Rizvanolli u shpreh e lumtur që këtë hapësirë moderne do të kenë mundësi ta shfrytëzojnë startup-et dhe bizneset e një niveli të maturuar të zhvillimit, duke iu afruar mundësi që të bashkëpunojnë në mes vete, të krijojnë sinergji dhe në mënyrë më të përshtatshme të jenë në gjendeje t’u përgjigjen nevojave të tregut ndërkombëtar.

Ndërsa Ministrja Hajdari tha se zhvillimi i inovacionit është një nga prioritetet kyçe të dikasterit që ajo udhëheqë dhe nga “Tech Park Prishtina” presim që të jetë një nga shtytësit kryesor të zhvillimit dhe transformimit të industrisë nëpërmjet zhvillimit të inovacionit dhe ndërmarrësisë.

Gjatë eventit, pjesëmarrësit kanë frekuentuar hapësirat e Parkut Teknologjik dhe kanë diskutuar me profesionistë të fushës së TIK-ut.

“Tech Park Prishtina” aspiron ta shënjojë Kosovën si një qendër për teknologjinë dhe ndërmarrësinë, me ambicie për t’u bërë një zone e lirë ekonomike, duke nxitur një zonë inovative për sektorin e TIK-ut në Kosovë.

Parku Teknologjik “Tech Park Prishtina” do të menaxhohet nga Shoqata për Teknologji Informative dhe Komunikuese e Kosovës (STIKK) për 5 vitet e ardhshme.

“Tech Park Prishtina” gjendet në një hapësirë atraktive në Bernicë të Poshtme të Prishtinës, me një infrastrukturë moderne, në hapësirën prej 4000 metrash katrorë në tërësi dhe synon që të krijojë mbi 300 vende pune të kualifikuara dhe të ofrojë hapësirë për më shumë se 60 kompani dhe startup-e.

Në hapësirat e saj “Tech Park Prishtina” ofron 26 zyra, salla takimesh, dhoma trajnimi, hapësira të gjelbëruara si dhe hapësira për rrjetëzim 1600 metra katrorë hapësirë e brendshme.