70 MW të reja të erës në Zatriq
Rahovec, 10 shtator 2026 – Në Zatriq të Komunës së Rahovecit është përuruar Parku i Erës, me kapacitet të instaluar prej 70 MW, një nga investimet më të rëndësishme në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Turqisë në Kosovë, Şeyda Çimeli Aydın, drejtori i Bordit të Çalık Holding, Ahmet Çalık, drejtori i përgjithshëm i Çalık Renewables, Emre Erdoğan, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe partnerëve të projektit.
Kryeministri Kurti theksoi se sot në Zatriq po shënojmë një hap të rëndësishëm për të ardhmen energjetike të Republikës së Kosovës, një të ardhme në të cilën energjia prodhohet gjithnjë e më shumë nga burime të pastra.
“Kosova ka potencial të madh për energji të ripërtëritshme. Prandaj, si qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke ndërmarrë hapa konkretë për ta shfrytëzuar këtë potencial, përmes investimeve të mençura dhe në interes të qytetarëve dhe të gjeneratave që vijnë”, vlerësoi kryeministri Kurti.
Ministrja Rizvanolli theksoi se Rahoveci po bëhet qendra e energjisë së ripërtërishme në Kosovë, është komuna e parë në Kosovë që ka kapacitete energjetike të erës dhe do të ketë edhe kapacitete solare.
“Me 185 GWh orë energji të pastër në vit, projekti ka potencialin që të mbulojë konsumin vjetor të rreth 45 mijë amvisërive. Dhe përtej saj, fakti që po flasim për energji të erës, për kapacitete që kryesisht prodhojnë gjatë motit të ftohtë, kur kemi nevojë për më shumë energji, do të thotë që kontributi i këtij parku të erës prej 70 MW është i rëndësishëm për sektorin tonë energjetik dhe veçanërisht për zvogëlimin e importit gjatë muajve të ftohtë të dimrit”, tha ministrja Rizvanolli.
Projekti është zhvilluar nga kompania EV Wind Park SH.P.K., në partneritet me Çalık Renewables dhe Eurokos Holding, në përputhje me standardet e Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC).
Financimi i projektit është bërë nga banka gjermane Helaba, ndërsa është garantuar nga agjencia zvicerane për sigurimin e eksporteve SERV (Swiss Export Risk Insurance).
Përurimi i Parkut të Erës në Zatriq shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve të Kosovës për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, duke kontribuar në diversifikimin e burimeve të energjisë, rritjen e sigurisë energjetike dhe tranzicionin drejt një sistemi energjetik më të qëndrueshëm.





