Vazhdon përkrahja për investime në hekurudha dhe ujësjellës
Prishtinë, 19.05.2023 – Komisioni Ndërministror për Ndërmarrjet Publike, i kryesuar nga zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku ka dedikuar mbi 1.8 milionë euro për projekte kapitale.
Ndërmarrjet “Infrakos” dhe “Trainkos” do të përfitojnë 844 mijë për të riparuar mjetet lëvizëse, për të përmirësuar sigurinë e hekurudhës, për të blerë makineri pune dhe për të avancuar sistemet e mbikëqyrjes.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” përkrahet me 440 mijë euro për të rehabilituar dhe për të ndërtuar rrjete të ujësjellësit dhe kanalizimit në Kishnicë të Komunës së Graçanicës, në 10 fshatra të Shtimes si dhe në Bellopojë, Llugë e Orllan të Podujevës.
Komisioni i ka ndarë 200 mijë euro kompanisë “Hidromorava” për projektin e ujësjellësit në fshatin Karaçevë dhe rrjetin në fshatrat: Muçivërcë, Roganë, Hodonoc, Dajkoc, Novosellë dhe Hogosht të Kamenicës.
KRU “Hidrodrini” Pejë përfiton 120 mijë euro për të ndërruar filtrat në fabrikën e ujit të pijes në Klinë.
Kurse KRU “Hidroregjioni Jugor” Prizren përkrahet me 170 mijë euro për dy projekte të ujësjellësit — në lagjen Kurrila dhe në fshatin Gërnçarë të Prizrenit.
Gjatë këtij viti janë ndarë mbi 2.2 milionë euro subvencione për ndërmarrjen “Trepça”, për Ngrohtoren e Qytetit të Gjakovës si dhe për ujësjellësin në fshatrat e Zveçanit dhe Mitrovicës.
Është nënshkruar marrëveshja e grantit 11 milionë euro për impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Gjilan, “Trepça” do të mbështetet me kredi prej 20 milionë për investime kapitale në miniera e flotacion, ndërsa planifikohet përkrahje shtesë për projektet dhe ndërmarrjet në shërbim të qytetarëve.