Inaugurohen punimet e parkut solar 105 MW në Kramovik, si rezultat i ankandit të Ministrisë së Ekonomisë
Rahovec, 15 korrik 2026 – Si rezultat i ankandit të parë të Ministrisë së Ekonomisë, në Kramovik të Komunës së Rahovecit, sot u inauguruan punimet e parkut solar
fotovoltaik me kapacitet prej 105 MW, një investim i rëndësishëm që shënon një hap të ri në përmbushjen e objektivave të Republikës së Kosovës për zhvillimin e energjisë së ripërtërishme, rritjen e sigurisë energjetike.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë: Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përfaqësuesit e projektit “Lindja Solar”, Linda Helms, Destan e Avni Orllati si dhe partnerë të sektorit të energjisë.
Në fjalën e tij, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi se; “Parku do të ketë kapacitet prej 105 megavatësh për kyçje në rrjet ku ky kapacitet tregon madhësinë e projektit dhe rëndësinë e tij për sistemin tonë energjetik. Mënyra e përzgjedhjes dhe çmimi konkurrues tregojnë kthesën që qeverisja jonë ka sjellur në projektet e mëdha të energjisë: transparencë e plotë ku secili ka qasje në të gjithë dokumentacionin, investitorët informohen në gjithë njësoj dhe konkurrojnë në kushte të barabarta e të qarta. Ky model tashmë është vendosur, është dëshmuar dhe do të vazhdojë”.
Ndërkaq, Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se; “Rruga nga ankandi deri te ndërtimi nuk përbëhet vetëm nga puna që shihet në terren. Lejet, studimet, projektimi, financimi, prokurimi i pajisjeve dhe marrëveshjet për kyçje nuk prodhojnë gjithmonë fotografi, por pa to nuk do të prodhohej asnjë megavat energji.
Ky investim është edhe një votëbesim për Kosovën, institucionet e saj dhe të ardhmen e sektorit tonë energjetik. Ky projekt bashkon kapitalin dhe përvojën e diasporës me ekspertizën e kompanive vendore dhe ndërkombëtare”.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i projektit “Lindja Solar”, Destan Orllati, u shpreh se; “Sot nuk po fillojmë vetëm një kantier ndërtimi, por po ndërtojmë disa muaj punë, bashkëpunim dhe besim. Një projekt i tillë nuk mund të realizohet nga një palë e vetme, ky është rezultat i besimit dhe bashkëpunimit me institucionet e Kosovës. Mundësia për ta realizuar këtë projekt në Kosovë është një nder dhe privilegj. Ky projekt do të prodhojë energji elektrike nga burime të ripërtëritshme, por rëndësia e tij shkon përtej kësaj, ai do të kontribuojë në forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës, në zhvillimin ekonomik dhe në zgjerimin e tranzicionit energjetik për dekadat e ardhshme”.
Ky proces i rëndësishëm vjen në një periudhë kur Kosova po shënon rezultate konkrete në zbatimin e reformave në sektorin e energjisë.
Kujtojmë, që në ankandin konkurrues për parkun solar morën pjesë pesë kompani dhe konsorciume: Orllati (VD) SA, Çalık–Limak Rahovec SPP Consortium, Güris İnşaat ve Mühendislik A.Ş., Akuo Energy SAS dhe Elsewedy Electric S.A.E., kompani këto me reputacion nga gjashtë shtete, që përfaqësonin investitorë nga Kosova, Zvicra, Gjermania, Turqia, Franca dhe Egjipti. Fitues u shpall Konsorciumi Orllati, me origjinë nga diaspora në Zvicër dhe partnerë ndërkombëtarë, me çmimin fitues prej 48.88 euro/MWh.
Interesi i kompanive ndërkombëtare dhe zhvillimi i procesit përmes një dialogu të hapur e transparent, me raunde të shumta sqarimesh, dëshmuan konkurrencën dhe transparencën e lartë të ankandit.




