Zëvendësministri Mjeku takon ministren sllovene për Transformim Digjital, Emilija Stojmenova

Bled, 28.08.2023 – Zëvendësministri i Ekonomisë në Republikën e Kosovës, Getoar Mjeku ka zhvilluar takim dypalësh ministren e Transformimit Digjital të Republikës së Sllovenisë, Emilija Stojmenova, në kuadër të konferencës “Forumi Strategjik i Bledit 2023”.

Në takim, zëvendësministri Mjeku është shoqëruar edhe nga këshilltari i Kryeministrit Kurti për sektorin e TIK-it, Lulëzon Jagxhiu.

Gjatë takimit ministrja Stojmenova e ka përgëzuar zëvendësministrin Mjeku për arritjen e Republikës së Kosovës në mbulueshmëri të 100% të zonave me internet të shpejtë, duke e cilësuar këtë arritje si shumë mbresëlënëse. Ajo e njoftoi zëvendësministrin Mjeku që Sllovenia është aktualisht duke punuar në të njëjtin drejtim dhe synojnë që ta arrijnë këtë deri në vitin 2030.

Për më shumë ajo ka përgëzuar Republikën e Kosovës për përqindjen e madhe të vajzave në sektorin e TIK-ut, që në nivel universitar është mbi 50%.

Tutje është diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes dy vendeve, në përgjithësi, mirëpo edhe në sektorin e TIK-ut në veçanti, ku Sllovenia është partnere e Kosovës.

Palët kanë folur rreth zhvillimit e aftësimit të fuqisë punëtore, zhvillimit të Parkut të Inovacionit dhe Teknologjisë, si dhe hovit të zhvillimit të sektorit privat të TIK-ut në të dy vendet.

Po ashtu, është diskutuar për përpjekjet e të dy vendeve për të centralizuar digjitalizimin e shërbimeve publike si dhe lehtësimin e qasjes në to për të gjithë qytetarët, aspekt horizontal në të gjitha sektorët.