Zëvendësministri Mjeku flet për pjesëmarrjen e grave në bordet e ndërmarrjeve publike
Prishtinë, 22.10. 2024 – Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka prezantuar raportin final për Vlerësimin e Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024.
Në kuadër të prezantimit të raportit të PKBGJ-së, mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe përfaqësues të tjerë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti potencoi se barazia gjinore është në qendër të proceseve transformuese në Republikën e Kosovës, gjersa raporti që prezantohet, tregon se si përmes punës së përbashkët, kemi përparuar në përmirësimin e kushteve në fusha si fuqizimi ekonomik dhe mirëqenia sociale, avancimi i barazisë gjinore përmes arsimit dhe shëndetësisë cilësore e gjithëpërfshirjes.
“Me përgjegjësi institucionale dhe vetëdije shoqërore, me përkushtim e punë, jemi bashkë në betejat për një Kosovë sa më barazimtare mes grave dhe burrave, një shoqëri edhe përparimtare dhe përparuese”, tha në fjalën e tij Kryeministri Kurti.
Duke fol në emër të Ministrisë së Ekonomisë, Zëvendësministri Getoar Mjeku nënvizoi pjesëmarrjen pothuajse të barabartë të grave dhe burrave në bordet e ndërmarrjeve publike, synimin e fuqizimit të vajzave dhe grave në sektorin e energjisë, përfitimin e grave nga masat e efiçiencës energjetike, si dhe kontributin e vajzave dhe grave në sektorin e TIK-ut.
Ai po ashtu ka folur rreth planeve për strategjinë e re minierare, që patjetër do të përfshijë aspektin gjinor.