Thellohet bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Austrisë në kuadër të Komisionit të Përbashkët
Prishtinë, 16 tetor 2026 – Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani Mullarama, mori pjesë në sesionin e gjashtë të Komisionit të Përbashkët Kosovë–Austri për Marrëdhëniet Ekonomike Bilaterale, të mbajtur në Vjenë.
Gjatë takimit, Shabani Mullarama prezantoi zhvillimet dhe planet e Kosovës për ankandet e energjisë së ripërtëritshme, përmes të cilave synohet rritja e kapaciteteve prodhuese të energjisë.
Ajo theksoi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët austriakë përmes investimeve, projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimit të ekspertizës në këtë sektor.
Në delegacionin e Kosovës ishte edhe Artan Demolli, ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Pala austriake përfaqësohej nga Elisabeth Weissenböck, udhëheqëse e Drejtorisë për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë në Ministrinë Federale të Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit.
Sesioni përfundoi me nënshkrimin e Protokollit të Komisionit të Përbashkët, i cili përcakton hapat e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Palët u pajtuan që sesioni i ardhshëm i Komisionit të Përbashkët të mbahet në Prishtinë.


