Task-Forca Ndërinstitucionale koordinon veprimet për sezonin dimëror 2026/2027
Prishtinë, 10 nëntor 2026 – Dje në Ministrinë e Ekonomisë është mbajtur takimi i parë i Task-Forcës Ndërinstitucionale për përgatitjen dhe koordinimin e veprimeve gjatë sezonit dimëror 2026/2027, me qëllim të monitorimit dhe vlerësimit të gjendjes së furnizimit me energji elektrike dhe koordinimit të masave për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së furnizimit gjatë gjithë kësaj periudhe. Në takim morën pjesë përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT).
Gjatë takimit u diskutua për gjendjen aktuale të sektorit të energjisë elektrike, bilancin energjetik, kapacitetet e disponueshme të prodhimit, kërkesën e pritshme për konsum, si dhe mundësitë e furnizimit me energji elektrike gjatë sezonit dimëror.
Operatorët kanë raportuar si vijon:
KOSTT ka arritur që në bashkëpunim me homologët përkatës të rrisë kapacitetet e transmetimit ndërkufitar me Shqipërinë për 150 MË dhe me Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi për nga 100 MW, si dhe ka filluar koordinimin me KEDS-in për identifikimin dhe trajtimin e pikave të ngushta në rrjet gjatë periudhave me ngarkesë të lartë;
KEDS ka informuar se ka siguruar materialet e nevojshme për mirëmbajtjen dhe intervenimet në rrjet, ka realizuar riparimet në nënstacionet përkatëse dhe është i gatshëm për menaxhimin e ngarkesës në rrjet gjatë periudhave me konsum të lartë të energjisë elektrike;
KESCO ka njoftuar se po ndërmerr veprimet e nevojshme për sigurimin e një sasie të kapaciteteve dhe energjisë elektrike për të përmirësuar sigurinë e furnizimit gjatë muajit dhjetor;
KEK ka njoftuar se është duke u angazhuar maksimalisht për operim me të gjitha kapacitetet të cilat i ka aktualisht në dispozicion: tri blloqet e Termocentralit “Kosova A”, si dhe bllokun B2 të Termocentralit “Kosova B”. Ndërsa, që nga prilli i këtij viti në bllokun B1 po zhvillohen punimet e financuara dhe kontraktuara nga Bashkimi Evropian për vendosjen e sistemit të elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, i cili afatin kontraktual të përfundimit e ka më 25 nëntor. Duke qenë se kontraktori ka bërë të ditur që do të ketë vonesa në realizim, grupi ka vendosur që të ftojë edhe një takim gjatë kësaj jave ku janë ftuar edhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë me qëllim të informimit më të saktë lidhur me zbatimn e këtij projekti.
Task-Forca do të vazhdojë punën dhe koordinimin e rregullt gjatë gjithë sezonit dimëror, me qëllim të identifikimit me kohë të sfidave, vlerësimit të rreziqeve dhe dhënies së rekomandimeve përkatëse, në funksion të garantimit të stabilitetit dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike në vend.





