Takim mes ME, ARRU dhe KRU-ve, analizohet performanca e Kompanive Rajonale të Ujësjellësve

Prishtinë, 05.07.2023 – Me qëllim  të rritjes së përformancës, rritjes së investimeve vetanake dhe zvogëlimit të humbjeve të ujit, me ftesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP) respektivisht udhëheqësit, Valon Prebreza, është mbajtur  takim me  kryesuesit e bordeve të kompanive rajonale të ujësjellësve (KRU) si dhe kryeshefat ekzekutiv për të bërë krahasimin e përformancës së këtyre KRU-ve për vitin 2022 dhe tremujorin e parë të vitit 2023.

Takimi po ashtu është organizuar me qëllim të arritjes së caqeve të përcaktuara nga Autoriteti Rregullativ i Ujërave (ARRU).

Me këtë rast udhëheqësi  i NJPMNP-së, Valon Prebreza ka kërkuar nga të pranishmit që caqet e përcaktuara nga ARRU, të trajtohen nga kompanitë me seriozitet, duke u reflektuar kështu në investime vetanake në infrastrukturë, zvogëlim të humbjeve të ujit përfshirë krijimin e një task force, e cila do të evidentonte kyçjet ilegale në rrjetin e ujësjellësit, duke krijuar pilot zona për matje të ujit dhe rrjedhimisht të ulen humbjet e ujit.

Prebreza, po ashtu kërkoi nga udhëheqësit e KRU-ve që të rrisni përformacën e ndërmarrjeve  si dhe caqet e përcaktuara nga ARRU të  trajtohen me seriozitet.

Në takim vëmendje i është kushtuar saktësisë në të dhëna të raportuara për treguesit e përformancës së KRU-ve, duke u pajtuar kështu për rritje të nivelit të përgjegjësisë karshi obligimeve që kanë drejtuesit e KRU-ve, duke u fokusuar në zvogëlim të shpenzimeve operative, rritjen e të hyrave  si dhe vlerësimet e aseteve që këto KRU kanë në pronësi.

Më këtë rast, Hajrie Morina drejtoreshë e Autoritetit Rregullativ të Ujit, ka kërkuar nga të pranishmit që fokusi i udhëheqjes së KRU-ve të jetë zvogëlimi i humbjeve teknike dhe komerciale të ujit dhe shtimi i investimeve në infrastrukturë si dhe investimet kapitale, të cilat do të rrisnin edhe më shumë performancën në shërbim ndaj qytetarëve.

Nga ana tjetër edhe udhëheqësit e KRU-ve, janë zotuar se do të trajtojnë seriozisht të gjitha kërkesat e dala nga ky takim përfshirë krijimin e task forces për zvogëlim të humbjeve teknike dhe komerciale të ujit.