Sqarim për vendimin e Arbitrazhit: Shuma që i ngarkohet shtetit tonë, ka qenë e paracaktuar me kontratën e vitit 2017

Prishtinë, 06.10.2023 – Ministria e Ekonomisë është njoftuar për vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit, i cili detyron Republikën e Kosovës t’i paguajë Kompanisë “Contour Global” një shumë të paracaktuar si kompensim për shpenzimet lidhur me projektin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Tribunali ka vërejtur se projekti dhe kontratat mes palëve nuk kanë qenë asnjëherë në favor të Kosovës. Shuma që i ngarkohet shtetit tonë dhe palëve të ndërlidhura ka qenë e paracaktuar me kontratën e lidhur më 2017.

Se sa e pabarabartë ka qenë kontrata tregon fakti se kompensimi për Kompaninë “Contour Global” është caktuar në lartësi rreth 20 milionë euro, kurse për Republikën e Kosovës në 8 milionë euro.

Qeveria ka bërë përpjekjet maksimale për të mbrojtur interesin e vet para Tribunalit, sidomos në rrethanat e tranzicionit dhe të papërgjegjësisë së qeverisë së emëruar në mënyrë jokushtetuese më 2020.

Vendimi i kompanisë për t’u tërhequr nga projekti ka qenë me fat për vendin, marrë parasysh çmimin e lartë të energjisë sipas kontratës së projektit dhe synimin për të prodhuar energji të pastër e me kosto të përballueshme për qytetarët dhe industrinë. Thënë thjesht, realizimi i projektit do t’i kushtonte Kosovës shumë herë më shumë se verdikti i pafavorshëm i Arbitrazhit.

Republika e Kosovës tani do të shqyrtojë mundësinë për të shfrytëzuar mjete të tjera juridike që ka në dispozicion, duke përfshirë padinë për anulimin e vendimit të Arbitrazhit në Gjykatën Kompetente në Londër.