Shpallet ankandi i parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW

Prishtinë, 12.05.2023  – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, sot kanë shpallur ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW.

Përmes Strategjisë së Energjisë 2022-2031, Kosova ka prioritetizuar zhvillimin e resurseve solare dhe të erës, ku ndër shumë prioritete që parasheh Strategjia e Energjisë është ideuar edhe ndërtimi i centralit solar FV prej 100 MW dhe ky ankand është një mundësi për të investuar në një të ardhme të ndritshme energjetike.

Kryeministri Kurti shprehu falënderim ndaj USAID-it dhe ekipës së tyre në Kosovë për kontributin e çmueshëm në zhvillimin e sektorit tonë të energjisë dhe për përkrahjen e fuqishme drejt tranzicionit energjetik.

“Rruga drejt së cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokrate të cilave u leverdis varësia energjetike e Evropës. Kërcënimet në rritje të ndryshimeve klimatike e bëjnë edhe më urgjent tranzicionin energjetik”, u shpreh kryeministri Kurti.

Këtë rrugëtim, tha ai, po e bëjmë dhe do ta bëjmë me mikun, partnerin e besueshëm, aleatin e fuqishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët tashmë janë dëshmuar edhe sa i përket zhvillimit tonë të gjithmbarshëm edhe sa i përket ndërtimit të demokracisë sonë.

Kryeministri vlerësoi se ankandet e energjisë së ripërtëritshme po tregohen që të jenë mekanizëm gjithnjë më i preferuar për qeveri që kanë ambicie për të luftuar ndryshimin klimatik dhe për të arritur sigurinë energjetike, pasi ato na lejojnë që të tërheqim energji konkurruese në shkallë të madhe, duke siguruar njëkohësisht çmimet më të përshtatshme për qytetarët tanë.

Ndërsa Ministrja Rizvanolli tha se ankandi që po shpallim sot ka rëndësi përtej investimit prej 75 milionë euro, do të shtojë 100 MW të reja në sistemin tonë energjetik dhe shënon pikënisjen e një epoke të re për zhvillim të qëndrueshëm në vendin tonë.

“Burimet e ripërtrishme të energjisë janë të domosdoshme sot, për të garantuar energji të mjaftueshme, me çmime të përballueshme, e pa dëmtuar shëndetin e planetin për ne, e për brezat që vijnë pas”, tha ajo.

Më pas ajo pohoi se ky rezultat vjen falë një bashkëpunimi të qëndrueshëm të Qeverisë së Kosovës me një nga partnerët tanë kyç zhvillimor, USAID-in, kontributi i të cilit është më të vërtetët i pazëvendësueshëm për sektorin tonë të energjisë.

Në fund Ministrja Rizvanolli theksoi se është më se e vetëdijshme që kemi shumë punë për të jetësuar vizionin tonë, mirëpo, me përkushtimin të cilin veç e kemi dëshmuar, me projektet që kemi filluar, e me parterët e shkëlqyeshëm që kemi përkrah, siç është edhe USAID-i, këto punë nuk i shohim si vështirësi, por si mundësi për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë, konkurrueshmërinë e ekonomisë tonë e barazinë sociale, objektiva për të cilat jemi zotuar si Qeveri.

Kurse Samantha Power theksoi Kosova e ka një të ardhme të ndritur në sektorin e energjisë, pasi ka një energji të së ardhmes dhe nuk do të ketë më ndërprerje të energjisë, e nuk do të ketë shqetësime të mëdha me ndërmarrësit e teknologjisë për mungesë të energjisë.

Power tha se ka parë zotimin nga udhëheqësit e vendit se do të bëjnë transferimin energjetik dhe shprehu besimin se ky ankand do të jetë si model edhe për vendet e tjera, që të punojnë në rrugëtime të ngjashme, sikurse Kosova e cila ka filluar duke vendosur qëllime të qarta, ambicioze, por të arritshme.

Ajo shtoi se presin që ky ankand të jetë i pari prej shumë të tjerëve dhe do të ndihmojë që qytetarët të kenë një energji më të lirë, më të besueshme dhe më të pastër.