Shkrimi i publikuar nga GIZ: Kosovë – Energjia për tranzicionin

Kosova po e bën më tërheqës investimin në energji të ripërtëritshme – me programe të financimit për individët dhe kompanitë private.

Teknologji moderne dhe efikase e ngrohjes, shtim të energjisë së ripërtëritshme dhe izolim të ndërtesave, kjo është formula e Kosovës për të luftuar mungesën e energjisë. Ndërtesat përbëjnë 40 për qind të konsumit të energjisë në vend, që është dy deri në tre herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian (BE). Prandaj, Qeveria ka lansuar një gamë të gjerë të programeve të financimit të dizajnuara për të përshpejtuar tranzicionin e nevojshëm të energjisë dhe për të zbutur ndikimin e vështirësive ekonomike dhe sociale.

Një nga paketat e subvencionimit është paraparë për individët privatë. Kjo do të lehtësojë barrën e familjeve që janë në gjendje më të rëndë ekonomike, duke ofruar mbështetje financiare për familjet në instalimin e pompave termike, kondicioerve (klimave) për ngrohje, kaldajave me biomasë dhe bojlerëve (sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar). Programi është treguar shumë i popullarizuar dhe deri më tani kanë përfituar rreth 9000 familje. Pothuajse 14,000 kërkesa janë dorëzuar në rundin e dytë të tenderimit. 4,900 familje të tjera tani do të përfitojnë gjithashtu grante për frigoriferë, enëlarëse dhe rrobalarëse efiçiente.

Fonde shtesë janë siguruar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Ky fond ofron stimuj financiarë për njerëzit që të kursejnë energji duke izoluar fasadat e ndërtesave. Potenciali është i madh, pasi që shumica e ndërtesave në vend nuk janë të izoluara. Më shumë se 3,000 persona tashmë kanë dorëzuar kërkesat.

Edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë përfitues, për shembull, për pajisje miqësore me mjedisin dhe sisteme të energjisë solare.

Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) GmbH ka ndihmuar në përgatitjen e kritereve të financimit në emër të Ministrisë Federale për Zhvillim Ekonomik të Gjermanisë (BMZ). GIZ ka punuar me Kosovën në temën e energjisë për shumë vite. Me mbështetjen e GIZ-it, Qeveria, për shembull, ka hartuar planin e saj kombëtar të energjisë dhe klimës, që do të thotë se Kosova tani plotëson një kusht kyç të Marrëveshjes së Parisit për Klimën.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përshkruan natyrën e bashkëpunimit: “GIZ është një partner kamotshëm dhe i besueshëm. Ne përfitojmë shumë nga këshillat e tyre në nivel të ekspertëve, qoftë kjo në lidhje me strategjinë kombëtare të energjisë, apo hartimin e instrumenteve të financimit”.

Në linkun në vijim gjeni shkrimin e publikuar nga GIZ:

https://www.giz.de/en/ourservices/kosovo-energiewende.html?fbclid=IwAR1N0at3X89WZj6XQ3JkTdWGEiqu41_hWc8b8fW9Mpi3VXZwOUv-jUG5S8Y