Shënohet 35-vjetori i grevës së minatorëve të “Trepçës”

Mitrovicë, 20.02.2024 – Në Stantërg sot është mbajtur ceremonia tradicionale e shënimit të 35-vjetorit të grevës së minatorëve të “Trepçës”, e cila mbahet në kuadër të “Javës së Minatorëve”.

Në ceremoni të pranishëm ishin Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë (ME), Getoar Mjeku, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ish-minatorët grevistë dhe personalitete të tjera.

Duke kujtuar grevën e vitit 1989, Kryeministri Kurti tha se po takohen sot në Ditën e Minatorit, në ditën e lavdishme në vendin tonë dhe shtoi se 20 shkurti i vitit 89-të ishte ditë e madhe e asaj pranvere, që sot e kremtojmë me mirënjohjen më të thellë.

“Ditën e Minatorit e shënojmë në vargun e ngjarjeve të mëdha, fill pas Ditës së Pavarësisë së shpallur 16 vjet më parë, buzë 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në motin e 25-të të çlirimit të Kosovës sonë të shtrenjtë, duke kujtuar grevën e madhe të minatorëve, ne i nderojmë rrënjët e Republikës tonë”, tha Kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti po ashtu pohoi se kur Serbia fashiste nisi ta trazonte këtë pjesë të Evropës, minatorët ishin të parët që iu kundërvunë, ata porositen qartë e fuqishëm, se populli nuk do thyhej, nuk do epej, e nuk do të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur për fatin e vet.

“Më 17 nëntor 1988, minatorët e “Trepçës” u nisen në marrshin e tyre, nga miniera për në Prishtinë, për të kundërshtuar funksionarët që po i dorëzoheshin Serbisë. Më 20 shkurt 1989 ata u ngujuan në horizontet e minierës për të kundërshtuar heqjen e autonomisë”, tha mes tjerash Kryeministri Kurti.

Ndërsa, Zëvendësministri i ME-së, Getoar Mjeku theksoi se “Trepça” u bë emër i madh në shekullin XX, sepse u ngrit aty ku minatorët kishin nxjerrë xehe e pasuri qysh në kohët e lashta dhe Republika jonë tani gëzon emrin e vet, sepse është ngritë aty ku minatorët kanë mbrojtur lirinë 35 vjet më parë.

Zëvendësministri Mjeku pohoi se “Trepça” është gjithashtu e vetmja ndërmarrje publike qendrore që ka një aksionar të dytë, vetë minatorin e saj, që sot është nikoqir e në tjetër ditë bashkëbisedues e bashkëpunëtor në përpjekjet tona për ndërmarrjen dhe për vendin.

“Ndërmarrja po i kthehet minatorit. Po rrit kujdesin ndaj minatorëve, dhe po punon për të shtuar numrin e tyre. Me kapitalin punues që jep Qeveria, “Trepça” do t’i sigurojë në radhë të parë kushtet e punës për minatorët. Por do të kujdeset njëherësh që privilegji dhe respekti më i madh t’i jepet atij që mban gjallë minierën — xehetarit në horizontet e nëndheshme. Me më shumë minatorë aktivë dhe me rekrutime të reja, “Trepça” siguron vijimësinë e saj”, tha  Zëvendësministri Mjeku.

Mjeku shtoi se rruga jonë nuk është e lehtë, por minatori ka guximin për të parë ëndrra të mëdha dhe durimin për të kapërcyer sfidat e rënda, këto virtyte frymëzuese na i dëshmon greva e madhe e shkurtit 1989,përfundoi ai.