Rizvanolli në takimin koordinues me kryetarët e komunave: Kemi ndarë 95 milionë Euro për përballje të qytetarëve me krizë energjetike

Prishtinë, 10.01.2023 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë mbajtur takim koordinues me kryetarët e komunave të Kosovës.

Ministrja Rizvanolli foli për studimin e fizibilitetit për ngrohje qendrore në 8 komuna, i cili pritet të përfundohet gjatë vitit dhe me pas do të fillojë puna në projekt të ngrohjeve. Ajo kërkoi nga kryetarët e komunave që të fillojnë të punojnë në lehtësimin e proceduarave, që sa më shpejt të fillojnë investimet në këto projekte.

Ministrja Rizvanolli falënderoi kryetarët e komunave për bashkëpunimin e deritanishëm në fusha të ndryshme, në veçanti për përcaktimin e tarifave të reja për deponitë e mbeturinave. Tash me përfitimin e grantit nga KfW-ja pas nënshkrimit të marrëveshjes në nëntor 2022, do të fillojë ndërtimi i deponive të reja.

Po ashtu, Ministrja Rizvanolli i ka falënderuar komunat, të cilat kanë caktuar personat përgjegjës që t’i asistojnë qytetarët për aplikim për subvencionim të blerjes së pajisjeve efiçiente të energjisë. Si rezultat i kësaj thirrje, janë 8,700 përfitues në të gjithë Kosovën, të cilët janë pajisur me pajisje efiçiente, duke ulur shpenzimet e tyre të energjisë elektrike në 70%, 851 nga të cilët janë qytetarë përfitues të asistencës sociale.

Sa i përket krizës energjetike evropiane, Rizvanolli tregoi që janë ndarë rreth 95 milionë Euro për tu përballur me këtë krizë, duke përfshirë këtu edhe 78 milionë Euro për subvencionim të faturave të të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të vendit. Sa i përket fushës së efiçeincës së energjisë janë realizuar projekte në vlerë 4.5 milionë Euro.

Ministrja Rizvanolli ceki që gjatë vitit që lam pas, në nivel të Kosovës ka pasur ulje të konsumit të energjisë në vlerë prej 8% në krahasim më vitin paraprak. Ajo u bëri thirrje institucioneve lokale që të vazhdojnë të jenë sa më racionalë në konsum të energjisë elektrike, pasi kursimi është një ndër hapat kryesor në përballje me krizën energjetike.