Rizvanolli: Kosova është shembull në rajon sa i përket pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë

Prishtinë, 24.04.2023 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në Konferencën “STEMinists” e cila ka për qëllim mbështetjen dhe avancimin e grave dhe vajzave në fushat e Shkencës së Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës.

Në këtë konferencë përveç Ministres Rizvanolli të pranishëm ishin edhe Kryeministri Albin Kurti, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe përfaqësues të tjerë.

Në Panel ku u diskutua për nevojat e tregut të punës dhe hartimin e politikave për t’iu përshtatur këtyre nevojave, përveç ministres e të lartpërmendurve morën pjesë edhe: zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku- Berdyna dhe Valdete Daku nga AXIANS.

Ministrja Rizvanolli tha se Kosova është shembull në rajon për masat që janë ndërmarr deri më tani dhe që parashihen sa i përket pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë, ku edhe në Strategjinë e Energjisë 2022-2031 ME ka paraparë për herë të parë rritjen e përqindjes së pjesëmarrjes së grave në sektor, kjo për t’u siguruar që:

  1. Rrisim shkathtësitë e grave dhe informatat e tyre për profesionet që lidhen me energjinë; dhe
  2. Të punojmë me bizneset e institucionet e energjisë në mënyrë që t’u ndihmojmë për të krijuar kushte më të favorshme të punës për gratë.

3.Nga 9% sa është tani pjesëmarrja e gruas, synohet të arrihet në 25% deri në vitin 2031

Ministrja Rizvanolli po ashtu theksoi se MCC është një partner i fuqishëm në promovimin e barazisë gjinore në sektorin energjetik të Kosovës.

Ministria e Ekonomisë ka paraparë edhe në fushën e TIK-ut, ku planifikohet të zbatohen trajnime, duke siguruar që gratë dhe vajzat e reja të përfaqësohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë midis përfituesve.

Në bashkëpunim me Bankën Botërore, 2000 të rinj të tjerë po përfitojnë nga trajnimet mbi aftësitë dixhitale më të kërkuara, ku deri në 43% prej tyre janë vajza, shtoi ministrja.

Rizvanolli në fund u shpreh se diskutimet e konferencat si kjo janë shumë të rëndësishme për të mësuar se çfarë mund të bëhet më mirë e çfarë mund të bëhet më shumë në mënyrë që gratë e vajzat gjithnjë e më shumë të jenë pjesë e fushave STEM.