Rizvanolli dhe Murati pjesëmarrës në takimin e parë ministror për ekonomi dhe financa i mbajtur në Shkup

Shkup, 18.11.2023 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ishin pjesëmarrës në takimin e parë ministror me ministrat e rajonit të ekonomisë dhe të financave që është mbajtur në Shkup, ku u diskutua për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në diskutimin me Drejtorin e Përgjithshëm të DG NEAR, Jan Koopman, u përcaktuan orientimet kryesore për të gjitha vendet e rajonit. Ky plan do të ketë mbështetje prej 6 miliardë eurove në formë të fondeve afatgjata, duke sjellë Evropën më pranë vendeve tona.

Ministrja Rizvanolli u fokusua në investimet në energji, teknologji dhe transport, duke përfshirë modernizimin dhe zgjerimin që unifikon zonat ekonomike.

Ajo theksoi projekte të reja për integrimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, ruajtjen e energjisë për të siguruar furnizim të qëndrueshëm. Përmirësimin e infrastrukturës digjitale për shkolla dhe zona socio-ekonomike, investimet në 5G, dhe mbështetjet për qendrat e inovacionit do të jenë prioritetet kryesore për përparimin teknologjik në vendin tonë.

Plani i Rritjes me BE-në synon të përmirësojë konvergjencën në rajon, për integrimin ekonomik dhe reformat themelore. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka potencuar reformat prioritare në arsim, duke theksuar nevojën për unifikim dhe zhvillim të shkathtësive.

Ministri Murati shtoi se në lidhje me buxhetin prej 6 miliardë eurosh, shqyrtimi i aftësive reale të integritetit ekonomik të Ballkanit Perëndimor mbetet çështje shumë e rëndësishme. Kontributi i BE-së, me rritje prej 10% në vit, kërkon vëmendje të veçantë. Në kuptim të progresit tonë në kriteret ekonomike, veçanërisht në sektorë si doganat, taksat, politikat sociale dhe arsim, fokusohemi në integrim ekonomik të përshpejtuar në rajon.