Reagim ndaj artikullit: Qytetarët marrin paratë për pajisje për efiçiencë, por i shpenzojnë diku tjetër

Prishtinë, 11.06.2024 – Me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, duke iu referuar lajmit të  transmetuar në RTV Dukagjini me datë 08.06.2024 dhe më pas publikuar nga portale tjera se kinse mjetet e ndara për Subvencionimin e Efiçiencës së Energjisë nuk janë përdorur nga qytetarët për qëllimin e përcaktuar, Ministria e Ekonomisë (ME) lëshon këtë:

Reagim/Demant:

Në kronikë thuhen shumë të pavërteta për procesin e subvencionimit të masave të efiçiencës së energjisë për qytetarët (familjet) dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të shpallura nga Ministria e Ekonomisë me mbështetje të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në kronikën e transmetuar më datë 08.06.2024, thuhet se Ministria e Ekonomisë nuk ka kthyer përgjigje, por në fakt në adresën elektronike të gazetarit të TV Dukagjini, nga i cili janë paraqitur pyetjet, ME-ja ashtu siç ka premtuar edhe është përgjigjur me datë 07.06.2024 në orën 05:45.

Ju njoftojmë se i gjithë procesi i subvencionimit të efiçiencës së energjisë ka kaluar përmes një transparence të plotë, pa keqpërdorime, nga i cili proces kanë përfituar qytetarët, ku janë arritur rezultate të dukshme në kursimin e energjisë, pasi qytetarët dhe bizneset janë pajisur me pajisje efiçiente, duke paguar më pak për to.

Ministria e Ekonomisë shpalljen e thirrjeve publike për subvencionim të efiçiencës së energjisë, e ka bërë përmes konferencave, takimeve me qytetarë e përfaqësues të bizneseve dhe përmes fushatave informuese në media e rrjete sociale.

ME ka pasur një bashkëpunim të mirë me mediat gjatë tërë këtij procesi, për çka i falënderojmë, pasi që çdoherë kanë treguar gatishmëri që t’i përcjellin konferencat e organizuara, kanë ndarë hapësirë televizive në mënyre që qytetarët të njoftohen sa më shumë për thirrjet dhe i kanë publikuar komunikatat e dërguara nga Ministria e Ekonomisë.

Po ashtu ME-ja ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë që të njoftohen sa më mirë qytetarët për thirrjet publike, ka pasur ekipet në “shtëpizën” e vendosur para ME-së, janë shfrytëzuar të gjitha kanalet zyrtare të ME-së, ueb-faqja, rrjet sociale, broshurat dhe materiale tjera njoftuese.

Të gjitha thirrjet janë shpallur në ueb faqen e Ministrisë së Ekonomisë: https://me.rks-gov.net/shpallje-2/#c9b449013775d1bd0

Përgjigja që i është dërguar gazetarit të RTV Dukagjini:

I nderuar,

Komisionet për verifikim kanë bërë verifikimin në terren të përfituesve, përfshirë edhe rastet që nuk e kanë kompletuar dokumentacionin dhe dorëzuar me kohë. Deri më tani nuk është evidentuar ndonjë rast i cili nuk e ka përmbushur obligimin.

Verifikimi në terren është bërë teķ aplikuesit për subvencionim të pajisjeve për ngrohje dhe pajisjeve elektroshtepiake.

Ju njoftojmë se, puna e komisioneve të verifikimit do të vazhdojnë deri në përmbyllje të procesit.