Qeveria e përkushtuar për mbështetje të Ngrohtores së Gjakovës, Ngrohtorja pritet të vendosë zinxhirin e prodhimit  

Prishtinë, 14.03.2023 Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë kanë pritur në takim Kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini dhe përfaqësues të tjerë të Komunës, kryeshefin e Ngrohtores së Gjakovës, Arben Meka, përfaqësues të lartë politikë e teknikë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe kryeshefin e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Bekim Hoxha.

Takimi është mbajtur me qëllim të koordinimit të të gjithë akterëve dhe Ngrohtores për vendosjen e zinxhirit të prodhimit të biomasës për ngrohje, siç edhe është paraparë që nga funksionalizimi i ngrohtores. Gjatë takimit janë diskutuar të gjitha sfidat që janë hasur për furnizim të Ngrohtores me biomasë dhe hapat konkretë e të menjëhershëm për t’i tejkaluar ato. Gjatë ditëve në vijim pritet të fillojë puna në nivel teknik për t’i përmbushur këta hapa me asistencë të institucioneve qendrore.

Deri më tash, Ministria e Ekonomisë ka subvencionuar Ngrohtoren e Gjakovës me 1.1 milionë euro, apo trefishin e shumës që ka qenë e buxhetuar, për blerje të biomasës gjatë dy sezoneve të kaluara. Prandaj, pritet që ngrohtorja të pavarësohet dhe të fillojnë funksionalizimin e zinxhirit të prodhimit të biomasës në mënyrë që së paku pjesërisht të përmbushin nevojat e veta për lëndë djegëse.

Ministrja Rizvanolli gjatë takimit ka ritheksuar domosdoshmërinë që çështja e zinxhirit të prodhimit të zgjidhet deri në sezonën tjetër të ngrohjes. Ajo gjithashtu ka cekur se të gjitha institucionet qeveritare dhe agjencitë vartëse të tyre, kanë gatishmërinë për të ndihmuar Ngrohtoren brenda kompetencave të tyre.