Qeveria e Kosovës përkujton 24-vjetorin e rënies së Mahmut, Jakup dhe Ilir Cakës

Prishtinë, 13.04.2023 – Përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë marrë pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore në 24-vjetorin e rënies së martirëve Mahmut, Jakup dhe Ilir Cakës.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm në Kaçanik sot, Kryeministri Albin Kurti iu është drejtuar të pranishmëve me një letër, të cilën në këtë ceremoni e lexoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Letra e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara familja Caka,
Të dashur banorë të Vatës e të Kaçanikut,
Është nder të ju drejtohem sot, ndonëse nuk mund të jem i pranishëm, në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore në nderim të martirëve Mahmut, Jakup dhe Ilir Caka. Sot kujtojmë rënien e tyre, që i mveshi ata me petkun e lavdisë së përjetshme.
Më 13 prill 1999, një ditë pas ditëlindjes së Ilirit, forcat e Serbisë rrethuan fshatin Sllatinë dhe lagjen e Vatës. Pasi granatuan fshatin, trupat e këmbësorisë dhe ato policore hynë në fshat, duke plaçkitur e djegur shtëpitë. Gjatë këtij aksioni, u vranë 13 shqiptarë të paarmatosur këtu, për të vetmen arsye, se ishin shqiptarë. Krim ky për të cilin ishte ngritur aktakuzë në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Të dashur familjarë,
Jam i vetëdijshëm që dhembja dhe mungesa e më të dashurve tuaj sa vjen e shtohet, por gjithashtu, jam i bindur se jeni krenarë që më të dashurit tuaj ranë në rrugën e lirisë, dhe që krenaria e lehtëson dhimbjen tuaj.
Në këtë ditë përkujtimore, sikurse edhe çdo ditë, jemi bashkë, familjarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, për t’i nderuar të rënët dhe për të ruajtur e kultivuar kujtimin për ta.
Andaj, në këtë përvjetor të 24-të, ngritja e kësaj pllake përkujtimore, është zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës ritheksoj përkushtimin për kujtimin e të vrarëve në luftë, të historisë dhe të trashëgimisë sonë të lavdishme.
Lavdi të rënëve të familjes Caka!
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta dhe për të gjithë të rënët për çlirimin dhe lirinë e Kosovës!
Përzemërisht,
Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës