Qëndrueshmëria klimatike në sektorin e ujit të Kosovës
Projekti “Rezilienca Klimatike në Sektorin e Ujit të Kosovës”, i bashkëfinancuar nga Ministria e Ekonomisë (ME) dhe Qeveria e Zvicrës, përmes Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO), po vazhdon të zbatohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qeverisë së Zvicrës dhe Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).
Javën e kaluar u mbajt takimi i dytë i Komitetit Drejtues të Projektit, ku u diskutua për progresin e arritur, auditimet e humbjeve të ujit dhe çështjet strategjike që lidhen me zbatimin e projektit.
Një ndër zhvillimet kryesore ishte shqyrtimi i tri pakove tenderike për investime me përfitime të shpejta (Quick Wins), të publikuara më 21 shtator 2026, të cilat përfshijnë:
* Furnizimin me ujëmatës për KRU Hidromorava, Bifurkacioni dhe Hidroregjioni Jugor.
* Furnizimin me pompa për KRU Prishtina, Mitrovica, Bifurkacioni, Hidrodrini dhe Gjakova.
* Furnizimin me sisteme fotovoltaike (PV) për KRU Hidrodrini.
Projekti synon reduktimin e humbjeve të ujit, rritjen e efiçiencës së energjisë dhe forcimin e qëndrueshmërisë së Kompanive Rajonale të Ujësjellësit (KRU), për t’u përballur më mirë me ndryshimet klimatike dhe mungesën e ujit.
Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet përkatëse, përfshirë FKEE-në mbetet e përkushtuar në realizimin e investimeve që rrisin efiçiencën e energjisë, përmirësojnë shërbimet e ujësjellësit dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.




